Ideologu i antishqiptarizmës Edi Rama, ka marrë në duar sërish flakadanin e misionarit! Por, në vend se ta argumentojë misionin e tij, ai është munduar ta shpëlajë të kaluarën e tij.
Por, pavarësisht se sa mund të jenë të vërteta pohimet e tij, me diskutimin e të cilave nuk do të merremi, është e rëndësishme të shqyrtohet përpjekja për apologji e tij, për shfajësim!
Cili është faji?!
“Kalorësi i ortodoksisë”, si duket nuk ka qenë vetëm në mbrojtje të ngushtë të ortodoksëve në Shqipëri, dhe sikur të kishte qenë ashtu, do të mund të konsiderohej deri diku normale, edhe pse ai është vetë në krye të Qeverisë, e cila duhet të garantojë mbrojtje të barabartë për të gjithë para ligjit, pavarësisht dallimeve fetare, etnike, racore etj.!
“Kalorësi i ortodoksisë” përveç argumentimeve që kemi dhënë deri më tash ne, dhe qindra të tjera nga autoritete politike, intelektuale, publicistike etj., me qëndrimet e tij pro Serbisë, e madje në një kontekst më të gjerë, ishin edhe në favor të Rusisë, për shkak se Serbia nuk e dënon luftën pushtuese të Rusisë.
Gjërat mund të dalin edhe ndryshe, se kishte një detyrë apo diç tjetër, por opinioni publik e gjykon për atë që sheh dhe bën publikisht, çfarë deklaron në zyre, në media, në takime bilaterale e multilaterale.
Pra, në këtë shqyrtim të deklarimeve publike, që janë qëndrime të Qeverisë së Shqipërisë, Rama rezulton një mbrojtës i Serbisë, një apologjet dhe një diplomat i saj.
Së fundi një interpretim apo edhe informacion e ka dhënë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës se ‘ideja për shkëmbim të territoreve mes Kosovës e Serbisë ka ardhur nga palët në terren, përfshirë edhe takimin e ish-kryeministrit, Hashim Thaçi me presidentin rus, Vladimir Putin’.
Kosova do të humbte territor
Por, akoma më keq pasi sipas informacioneve që jep prof.Dr.Hasani, takimin Thaçi-Putin e ka organizuar presidenti serb, Aleksandër Vuçiqi me ndihmën e Edi Ramës.
“Hashimi përmes Edi Ramës është futur në atë lojë.... Ideja për shkëmbim të territorit ka qenë e Vuçiqit përmes Ramës, ka thënë ta provoj këtë, dhe e ka involvuar Vuçiqi Putinin”, ka deklaruar Hasani të enjten në “Desku”.
Më pas Edi Rama, pavarësisht detyrave do të ketë në mënyrë të vazhdueshme takime me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov.
Po ashtu është e habitshme dhe aspak e rastësishme që në ato takime do të merrte pjesë edhe një gazetar e botues nga Kosova, Baton Haxhiu.
Gjykuar sipas fotove, ato nuk janë një takim dhe nuk përkasin me takimin dhe vendin ku u takua Hashim Thaçi me Putinin.
Ky vend i ndryshëm dhe me shefin e diplomacisë ruse, shton dyshimet për një bashkëpunim, nga i cili aspak nuk mund të përfitonte Kosova. Thënë më qartë Kosova do të humbte territor. Gatishmëria e Ramës, që Kosova të ndahet dhe të humb territor, është një fakt i mjaftueshëm për ta akuzuar për tradhti.
Dyshimi rritet edhe më shumë pasi në takimet Rama-Lavrov shfaqet këshilltari i Ramës, asokohe Haxhiu, dhe që ishte mik për shumë vite i Hashim Thaçit, dhe ende e elaboron dhe promovon idenë për shkëmbim të territoreve të Kosovës.
Ky akt, ishte i qartë që favorizonte Serbinë, me copëtimin e veriut të Kosovës, dhe nuk mund të arsyetohet, siç po përpiqen tani ta bëjnë me ndalimin apo bllokimin e krijimit të një transversale të gjelbër (islamike), Stamboll-Shkup-Prishtinë-Novi Pazar- Sarajevë, nëpërmjet asociacionit.
Pra, janë dy situata-realitete krejtësisht të ndryshme, ndarja dhe asociacioni!
Sipas këtyre situatave protagonist i vazhdueshëm është Edi Rama. Sigurisht se edhe paratë do të zbulohen dhe qartësohen për financimet ruse!