Ende nuk është shpjeguar miqësia ‘misterioze’ Rama-Vuçiq. Shqiptarët dyshojnë se motivet e kësaj lidhjeje, nuk janë thjesht miqësi, por një mori interesash, përfshirë ata material. Së fundi është ngritur një akuzë e re në publik, duke e interpretuar shkakun e miqësisë së kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqi, dhe kompaninë e vëllezërve Kariç, të njohur që nga koha e regjimit të Millosheviçit, që e kanë vjelur e rrjepur Kosovën.
Sipas këtyre informacioneve është projekti për ndërtimin e një porti mbresëlënës në Durrës, i cili i ka ofruar apo fuqizuar lidhjet Rama-Vuçiq.
Sipas vlerësimeve të njëjta, janë disa kompani serbe, prej të cilave Vuçiqi përfiton, dhe me shumë gjasë edhe Edi Rama, ka interesin apo arsyet e tij personale lidhur me këtë.
Pavarësisht se çfarë bënë Rama në këtë rast, duket se atij po i lëkundet dheu nën këmbë. Një lëvizje tektonike qytetare është shfaqur mbrëmë në Tiranë. Pavarësisht që kohët dimërore po vijnë, ata nuk kanë hezituar të mblidhen në gjithë rrugën qendrore të Sheshit të Tiranës, dhe ta bëjnë Ramën, të lëkundet për herë të parë, me pyetjen se çfarë po ndodhë?
![Image](/media/botasot.info/images/2022/November/13/850x636_braktisja-megomone1668349881.jpg)
Megaskandale
Megjithëse i ka hapur të gjitha rrugët, që të rinjtë dhe të njerëz të mllefosur me jetën dhe fatin në Shqipëri, të largohen prej saj, së fundi edhe duke ndërmarrë udhëtimin e rrezikshëm drejt Britanisë së madhe, ai nuk ka arritur ta frenojë rritjen e pakënaqësisë. Madje edhe në protestë qytetarët e kanë quajtur “arkitekt të zbrazjes së Shqipërisë”.
Pavarësisht se ka lejuar komprometimin e jetës dhe veprimtarisë në çdo sektor, pavarësisht zbulimit të megaskandaleve, si pagat marramendëse nga 7-8 mijë euro në muaj për gazetarë dhe deri tek ato në 50 mijë euro për profesionistë, duke ngritur para së gjithash dyshimin për dështimin e taksimit të bizneseve, nëpërmjet këtyre mashtrimeve, dhe po ashtu me megaskandale si ai për inceneratorët, largimi i rreth 750 mijë shqiptarëve, e deri tek rasti i fundit me projektin investiv në port.
Për të parandaluar keqpërdorimet, javën që shkoi Partia Demokratike ka ushtruar padi në Gjykatën Kushtetuese kundër, siç e quan ajo, “megaaferës korruptive” për marrëveshjen për Portin e Durrësit.
“Grabitje e pasurisë publike për interesa private nën petkun e investitorëve strategjik, por me kompani offshore. Pikërisht këtë ne e godasim në Gjykatën Kushtetuese. Shpresojmë që Gjykata do qëndrojë në nivelin që pritet dhe të bëjë detyrën e saj”, ka deklaruar nënkryetari i PD Oerd Bylykbashi.
Brenda PD-së ka dyshime, se pas kompanive ‘offshore’ mund të jetë edhe Edi Rama.
Protesta e djeshme, është një shenjë e qartë, se koha e Ramës po perëndon, dhe se PD-ja duhet ta nxjerrë e promovojë një kandidat të ri të fuqishëm, për ta ofruar si ofertë të qeverisjes!
Droga ‘arma’ me të cilën po e mbanë pushtetin
Sidoqoftë Edi Rama, i cili në 4 vitet e fundit ka përçuar hapur një politikë antiKosovë, kundër shtetësisë së saj, dhe në raste të caktuara duke u shfaqur si patriot i bashkimit kombëtar, më në fund ka filluar të bie, pasi iu hoqën maskat e mashtrimit.
Popullariteti i tij është në rënie të lirë, ndërsa mbahet kacavjerrë në trafikun e drogës!
Nuk duhet ta njohësh aq shumë nëntokën, sa për të kuptuar se nga ku buron pushteti i një lideri, në këtë rast i Edi Ramës.
Që nga ardhja e tij në pushtet, droga ka lulëzuar. Ju kujtohet kur sa ishte në opozitë mediat e së majtës, dhe figura politike të saj, ia nxirrnin sytë opinionit me shkrime dhe akuza për drogën e Lazaratit, një katundi jugor, i banuar me verior, kryesisht me origjinë nga Kosova. Por, për këto 9 vjet, Lazaratin më thuaja askush se përmend. Nëse atëherë ishte një Lazarat, sot e tërë Shqipëria është e lulëzuar nga droga dhe trafiku i saj.
Qindra vrasje, që kanë ndodhur, kryesisht janë të motivuara nga punët e pista të drogës. Po ashtu disa nga arrestimet më të bujshme të shqiptarëve jashtë saj, rezultojnë se janë nga trafiku i drogës. Madje, tashmë grupet e tilla kriminale janë shtrirë dhe popullarizuara edhe në Amerikën Jugore.
Por, për rekordet e drogës, dhe bashkë me tregun e industrinë e saj, askush se akuzon Ramën në Evropë, me pak përjashtime, se e ka kthyer vendin në një mbretëri droge. Asnjë kërcënim, dhe aq më pak ndonjë sanksion!
Por, ai po i kryen dy misione njëkohësisht: po e zbrazë Shqipërinë dhe po e drogon rininë shqiptare, me trafikim, mbjellje dhe duke i kthyer në konsumatorë të mëdhenj!