Zgjedhjet e parakohshme në veri pritet të mbahen me këtë datë

Aktuale

Zgjedhjet e parakohshme në veri pritet të mbahen me këtë datë

Më: 14 nëntor 2022 Në ora: 07:38 Përditësuar në ora: 16:37 më 14.11.2022
Vjosa Osmani

​Osmani: Zgjedhjet në katër komunat veriore në koordinim më institucionet e sigurisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se sipas të gjitha gjasave, 18 dhjetori do të jetë data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për katër komunat veriore në vend.

Osmani para mediave tha se për këtë datë u dakorduan edhe me subjektet politike që morën pjesë në takim.

Presidentja e vendit shtoi se sot në mbrëmje ose nesër në mëngjes pritet të shpallen zgjedhjet, të cilat do të organizohen në koordinim me institucionet e sigurisë.

Osmani: Sipas të gjitha gjasave zgjedhjet mbahen më 18 dhjetor

“Nga të gjitha partitë që ishin prezentë, kërkova mendim rreth datës 18 dhjetor, sepse është data e fundit që lejohet, por në të njëjtën kohë kjo do t’i lejonte hapësirë më të madhe manovrimi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në mënyrë që të bëhen përgatitjet e nevojshme. Ne, sapo t’i përfundojmë këto deklarime, do të ulemi edhe një herë me ekipin tonë ligjor dhe pastaj do ta bëjmë publik vendimin përfundimtar. Opsion tjetër është data 11 dhjetor, por sipas të gjitha gjasave do të shkojmë më datën 18 dhjetor sapo t'i marrim konfirmimet e duhura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që gjithçka është në rregull në këtë datë sa i përket përgatitjeve por, edhe nga institucionet e sigurisë për të gjitha planet operacionale edhe përgatitjen që duhet të bëhen për mbarëvajtjen të zgjedhjeve”, tha Osmani.

Në këtë takim ku nuk morën pjesë përfaqësues të AAK-së dhe Listës Serbe, presidentja nga këtu i bëri thirrje partnerëve tanë ndërkombëtarë për monitorim të zgjedhjeve në veri.

Osmani: Kërkesë partnerëve tanë ndërkombëtarë për monitorim të zgjedhjeve

“Data e fundit kur do të mund të mbaheshin zgjedhje sipas këtyre afateve është data 18 dhjetor. Ne kemi diskutuar me partitë politike që ishin pjesëmarrëse në këtë konsultim rreth përgatitjeve që duhet t’i bëjë Komisioni Qendror Zgjedhor, sepse ka procedura të cilat duhet të respektohet në mënyrë që gjithçka të shkojë sipas rregullave dhe standardeve më të larta demokratike. Në të njëjtën kohë unë do t’i drejtoj një kërkesë partnerëve tanë ndërkombëtarë për monitorim të zgjedhjeve dhe pjesëmarrje sa më të madhe ndërkombëtare në këtë proces zgjedhor. Po ashtu, duhet të bëhen të gjitha përgatitjet e nevojshme së bashku me institucionet tona të sigurisë që procesi zgjedhor të shkojë pa tensione”, tha ajo.

Në këtë takim janë diskutuar edhe shqetësimet e partive politike për organizimin e zgjedhjeve, pjesëmarrëse në takim, por Osmani premtoi se do të jenë në koordinim më institucionet e sigurisë për organizimin e zgjedhjeve, të cilat janë të garantuara me Kushtetutë, përfshirë të drejtën në votë.

Osmani: Në takim janë diskutuar edhe shqetësimet për siguri

“Natyrisht që janë diskutuar edhe shqetësimet e të tjera, të cilat ekzistojnë. Si presidente e vendit do të bëj çmos që në koordinim me institucionet e sigurisë të ndërmerren të gjithë hapat, në mënyrë që siguria e qytetarëve tanë të jetë primare dhe të mbrohen të drejtat e tyre të cilat janë të garantuara me Kushtetutë, përfshirë të drejtën në votë”, tha ajo.

Në takim me presidenten kanë marrë pjesë përfaqësues nga Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nga PDK-ja, Betim Gjoshi, nga LDK, Imri Ahmeti, dhe nga partitë tjera minoritare, Aleksandër Jabllanoviq nga Partia Serbe e Kosovës, Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresive, Emilia Rexhepi nga NDS, Elbert Krasniqi dhe Faton Peci nga Lista Guxo.

Zyrtarët e Listës Serbe u larguan nga institucionet e Kosovës nga data 5 nëntor, me arsyetimin se Qeveria nuk po e pezullon vendimin për targat.

Zgjedhjet e parakohshme në veri pritet të mbahen më 18 dhjetor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se pas dorëheqjeve të kryetarëve të komunave në katër komunat veriore, data e fundit sipas afateve ligjore është 18 dhjetori për mbajtjen e zgjedhjeve në këto komuna.

“Ne do të ulemi edhe një herë me ekipin tonë ligjor për caktimin e datës së zgjedhjeve. Sipas të gjitha gjasave data e zgjedhjeve do të jetë më 18 dhjetor”, tha ajo në një konferencë për media.

Sot në mbrëmje ose nesër në mëngjes pritet të shpallen zgjedhjet, theksoi Osmani pas takimit me përfaqësuesit e subjekteve politike, duke shtuar se po i respektojnë ligjet dhe afatet sa përket organizimit të zgjedhjeve.

Nis takimi i presidentes Osmanit dhe partive politike

Ka nisur takimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me përfaqësuesit e subjekteve politike për caktimin e darës së zgjedhjeve në katër komunat veriore të vendit.

Në takim po marrin pjesë përfaqësues nga PDK-ja, Betim Gjoshi, nga LDK, Imri Ahmeti, dhe nga partitë tjera minoritare, Aleksandër Jabllanoviq nga Partia Serbe Kosovës, Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresive, Emilija Rexhepi nga NDS, Elbert Krasniqi nga IRKD dhe Faton Peci nga Lista Guxo.

Pas takimit presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të prononcohet për media.

Zyrtarët e Listës serbe u larguan nga institucionet e Kosovës, me arsyetimin se Qeveria nuk po e pezullon vendimin për targat.

Zgjedhjet në veri, Jabllanoviq dhe Rashiq arrijnë në takimin me presidenten

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do të presë sot në takim përfaqësuesit e subjekteve politike për t’u konsultuar për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Në takimin i cili është paralajmëruar të fillojë në orën 14:00, të pranishmëm janë kryetari i Partisë së serbëve të Kosovës PSK-së, Aleksandër Jabllanoviq dhe kryetari i Partisë Demokratike për Progres, Nenad Rashiq.

Katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, si vazhdimësi e veprimeve të Listës Serbe e cila po kundërshton vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat.

Ky veprim i ka hapur rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto komuna meqë sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, mandati i çdo kryetari të komunës merr fund me dorëheqjen e tij.

Zgjedhjet, sipas Ligjit, shpallen jo më vonë se dhjetë ditë pas shpërbërjes së kuvendeve komunale, ndërsa duhet të mbahen më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes së tyre.

Dorëheqjet, që u bënë më 5 e 6 nëntor, janë dorëzuar më pas edhe në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), për të cilat është njoftuar edhe Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Pas konsultimit me partitë politike, presidentja Osmani pritet ta shpall datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të këtyre katër komunave brenda afateve ligjore.

Presidenca tregon kohën e takimit me partitë për konsultime për datën e zgjedhjeve në veri

Zyra e Presidentes ka bërë me dije që në ora 14:00 do të pres partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Njoftimi i plotë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret sot në orën 14:00 në takim partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit.

Vendi: C 301

​Presidentja Osmani pret partitë për konsultime për datën e zgjedhjeve në veri

Presidentja Vjosa Osmani do të presë sot (e hënë) në takim përfaqësuesit e subjekteve politike për t’u konsultuar për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Nga Presidenca kanë refuzuar të flasin për orën e takimit.

Katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, si vazhdimësi e veprimeve të Listës Serbe e cila po kundërshton vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat.

Ky veprim i ka hapur rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto komuna meqë sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, mandati i çdo kryetari të komunës merr fund me dorëheqjen e tij.

Zgjedhjet, sipas Ligjit, shpallen jo më vonë se dhjetë ditë pas shpërbërjes së kuvendeve komunale, ndërsa duhet të mbahen më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes së tyre.

Dorëheqjet, që u bënë më 5 e 6 nëntor, janë dorëzuar më pas edhe në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), për të cilat është njoftuar edhe Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Pas konsultimit me partitë politike, presidentja Osmani pritet ta shpall datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të këtyre katër komunave brenda afateve ligjore.

Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të presë vendimin e presidentes. Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, i tha ditë më parë KosovaPress-it se përgatitjet për zgjedhje bëhen pasi ato të shpallen nga presidentja.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve pasi ato të shpallen nga ana e presidentes së Republikës së Kosovës. KQZ-ja pret shpalljen e zgjedhjeve para se të fillojë me përgatitjet intensive të tyre. Sikurse në të kaluarën një nga hapat e parë që ndërmerr KQZ është miratimi i planit operacional ku listohen të gjitha aktivitetet që duhet të kryhen nga ana e KQZ për të organizuar një proces zgjedhor”, tha ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi ditë më parë se serbët nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje duke paralajmëruar se në këtë proces do të marrin pjesë vetëm 1500 persona, që sipas tij, aq janë shqiptarë e boshnjakë në veri të vendit.

Serbët, në të shumtën e rasteve siç dëshmuan raportimet e mediave, të detyruar nga Lista Serbe që kontrollohet nga Beogradi, u larguan nga institucionet e Republikës së Kosovës. Arsyetimi ishte vendimi për regjistrimin e automjeteve me targa RKS si dhe pezullimi nga puna i komandantit të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat