Tashmë është bërë e ditur agjenda mediale e presidentes Vjosa Osmani, e cila do të takojë partitë politike për zgjedhjet në veri.
E para e shtetit pret, të hënën, në orën 14:00 në takim partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, si vazhdimësi e kundërshtimeve të Listës Serbe ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.
Zgjedhjet, sipas Ligjit, shpallen jo më vonë se dhjetë ditë pas shpërbërjes së kuvendeve komunale, ndërsa duhet të mbahen më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes së tyre.
Pas konsultimit me partitë politike, presidentja Osmani pritet ta shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të këtyre katër komunave brenda afateve ligjore.