Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ndaj 15 të akuzuarve për mashtrim me viza në rastin “Ukë Rugova II”, janë dëgjuar dëshmitarët Kadrije Bajrami dhe Fadil Buja.
Të akuzuarit në këtë rast, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voça, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islam ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 6 prill 2022.
Dëshmitari Buja tha se nuk qëndron pranë deklaratës së dhënë në stacionin policor më 5 nëntor 2015.
“Jo unë nuk muj me ju përmbajt se nuk është në rregull ajo deklaratë, s’është e vërtetë aspak ajo çka kam thënë atëherë se jam kanë nën presion të policisë atëherë e çka të them sot ta garantoj me jetë. Unë atëherë kam qenë nën presion nga policia të cilët më kanë thënë kuku për ty çka ka me të gjet, edhe nuk jepet deklarata ashtu, kanë me të rre, kanë me të sakatu, më kanë thënë me pranu e me thanë qashtu, me demek që ta kanë bo vizën e, sot çka te thom është e vërtetë”, tha Buja.
Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale Florije Shamolli lidhur me dy numra të telefonit, dëshmitari Buja tha se njëri prej tyre është numri i tij kontaktues ndërsa tjetri është i bashkëshortes së tij, por që dy numrat i përdor ai që nga paslufta.
I pyetur se a kishte qenë ndonjëherë i interesuar për të rregulluar ndonjë vizë italiane, Buja tha se kur i akuzuari Beg Shaqiri kishte pas një aksident, ai kishte shkuar për të ndihmuar, e që aty tha se e kishte pyetur për çështjen e vizës për djalin e tij.
“Ai më ka thënë po kqyri e po të lajmëroj se jam edhe djalit tem tu ja nxjerr, e nëse bëhet të njoftoj ty, mandej Begu e ka marr edhe djalin e vet edhe djalin tim, e kanë shku te ambasada dhe e kanë dorëzu vet pasaportën”, tha ai.
Ndërsa, ka mohuar të ketë pasur ndonjë marrëveshje për çështjen e vizave.
Më pas, i pyetur se a i kujtohet se në polici kishte përmendur një shumë prej 3 mijë e 500 euro, ai tha se për shkak të presionit që kishte pasur, mund të ketë përmendur ndonjë shumë të parave, por që kjo kishte qenë vetëm për të ikur nga aty.
“Unë nuk kam fol kurgjo në polici, ndërsa policia i kanë shkru vet ato çka kanë dashtë në bazë të incizimeve. Edhe Hasanin edhe Begun ata vet e kanë përmend, ata nuk më kanë prezantuar ndonjë video-incizim, do letra mi prezantuan dhe unë nuk e kam qel gojën kurgjo veç po, po, kam thënë”, tha në fund Buja.
Paraprakisht është dëgjuar edhe dëshmitarja Kadrije Bajrami, e cila ka thënë se mbetet pranë deklaratës së dhënë në stacionin policor më 25 qershor 2014 duke sqaruar se ajo kishte aplikuar për vizë italiane shengen në ambasadën italiane por që viza iu kishte refuzuar.
“Mu kur mu ka refuzu viza kom qajt shumë, pastaj kom marr një telefonat i cili më ka thënë që nëse ki nevojë për vizë italiane ne mundemi me të ndihmu”, tha ajo.
Ndërsa lidhur me çmimin ajo tha nuk është e sigurt mirëpo për aq sa i kujtohej marrëveshja kishte qenë për 1 mijë apo 1 mijë e 500 euro.
Dëshmitarja Bajrami tha se me këtë person ishte takuar tek një pompë e benzinës të cilit tha se i’a kishte dhënë pasaportën.
Më pas, për shkak të një udhëtimi të kryetarit të trupit gjykues, Kujtim Krasniqi dhe anëtarit të trupit gjykues, Vesel Ismaili, seanca e sotme u ndërpre ndërsa e radhës u caktua më 17 janar 2023.
Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.
Pasi që lënda ishte transferuar tek gjykatësit vendor, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.
Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se PSRK-ja ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë, Michael Giffoni.
PSRK-ja po pretendon se 15 të akuzuarit Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami, kishin vepruar si grup kriminal bashkë me Ukë Rugovën dhe të tjerët, me qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.
Ky rast është ndarë në dy pjesë, pasi siç kishte thënë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, një gjë e tillë është bërë në mënyrë që gjykim të jetë më efikas. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.