Komandanti i përgjithshëm i FSK-së, Bashkim Jashari është deklaruar i gatshëm të marr përgjegjësinë, pas ngjarjes që bëri bujë ku shihen ushtarët e FSK-së afër lapidarit ku përkujtohen luftëtaret serbë që kanë kryer krime ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1912-1914.
Në emisionin “Lajmet e fundit” në RTK, komandanti i FSK-së tha se ceremonia ishte e organizuar nga ambasada franceze dhe gjermane për nder të ushtarëve gjerman e francez dhe nuk kishte të bënte me luftëtarët serb.
Ai tha se të gjitha pllakat edhe të të rënëve gjerman, francez e edhe të atyre serb janë në të njëjtën plato dhe shumë afër njëra tjetrës prandaj sipas tij ka qenë problem vendosja e ushtarakëve ceremonial.
“Ju e shihni, ato pllaka janë shumë afër dhe ceremonia është organizuar për nder të ushtarakëve francez e gjerman. Nëse dikush duhet të marr përgjegjësi jam unë ai, sepse jam komandant i FSK-së, por të jeni të sigurt nuk ka të bëjë me të rënët serb, ka të bëjë me ceremoninë që është organizuar edhe me ftesë të ambasadës francezë dhe gjermane, ky është realiteti”, ka thënë në RTK, komandanti I FSK-së.
I pyetur nëse nëse ishte gabim dhe a ka mundur të shmangej kjo situatë, Jashari tha se në të ardhmen do të veprojnë ndryshe.
“Nuk mund të them se në të ardhmen nuk do të bëjmë më ndryshe dhe nuk do të analizojmë më ndryshe pjesëmarrjen ose edhe mospjesëmarrjen”, tha ai.
Jashari tha se imazhi i FSK-së nuk është dëmtuar dhe nuk do të dëmtohet asnjëherë.
“FSK-ja është institucioni më i respektueshëm. Unë i garantoj qytetarët se vetëm një rrugë e kemi, përpara dhe avancim, nuk ka tjetër”, tha ai.
Ngjarja kishte ndodhur më 11 nëntor në nder të 104 vjetorit të përfundimit të luftës së parë botërore.