Dosja “Brezovica”: Lirohet Berat Lahu

Aktuale

Dosja “Brezovica”: Lirohet Berat Lahu

Më: 15 nëntor 2022 Në ora: 11:18
Berat Lahu

Berat Lahu, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, është liruar sot nga paraburgimi.

Lahu ishte arrestuar më 9 shtator të këtij viti në kuadër të aksionit “Brezovica” të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Burime brenda organeve të drejtësisë kanë thënë se Lahu, dhëndër i ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, është liruar sot me aktvendim të gjykatës.

Lajmin e ka konfirmuar Drin Behrami, avokat i Lahut.

“Gjykata ka shpallur aktvendimin për lirimin e Berat Lahut. Ai do të lirohet sot [e martë] në orën 13:00”.

Pas arrestimit nën dyshimin për përfshirje në aferën “Brezovica”, ai ishte suspenduar nga funksionet brenda Lëvizjes Vetëvendosje më 23 shtator, 2022. Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ka thënë se suspendimi i Lahut do të zgjasë deri në përfundimin e procesit gjyqësor ndaj tij.

Lahu ishte asamblisti më i votuar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të fundit lokale.

Prokuroria Themelore në Ferizaj dyshon se Lahu ka kryer dy vepra penale: “Pranimi i paarsyeshëm i dhuratave” dhe  “Ushtrimi i ndikimit”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat