Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është takuar sot me zëvendësndihmësin sekretari i shtetit dhe të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Abdixhiku ka treguar se i ka shtruar kërkesën që të arrijnë dhe të nënshkruajnë “Kartën e Parneritetit Strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës”.
“Kosova, shtet i pavarur e sovran, e anëtarësuar në NATO e BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të, është misioni ynë i pandryshuar.
Në këtë drejtim, shtrova kërkesën për arritjen dhe nënshkrimin e ‘Kartës për Partneritet Strategjik ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës’. Kjo kartë bilaterale partneriteti, siguron avancimin e relacioneve mes dy shteteve në mbrojtje, politikë, energjetikë, edukim, ekonomi, kulturë e të drejta të njeriut. Karta në fjalë, avancon në nivel të ri marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve, siç dhe ofron dhe garanci të shëndosha për të ardhmen euroatlantike të Kosovës e regjionit”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai ka treguar se ia kanë prezantuar të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Gabriel Escobar, pikëpamjet e tyre për gjendjen e fundit të sigurisë në Kosovës dhe nevojën e koordinimit të institucioneve të Kosovës me SHBA-të dhe partnerët ndërkombëtar.
“Z.Escobar i prezantuam dhe pikëpamjet tona mbi gjendjen e fundit të sigurisë në Kosovë, si dhe nevojën e koordinimit të ngushtë të institucioneve të Kosovës me SHBA-të dhe me partnerët e tjerë. Koordinimi i tillë është garanci për të kapërcyer të gjitha sfidat.
Në frymën e diskutimit që pata sot në Departamentin e Shtetit, shpreh edhe një herë shqetësimin tim dhe të LDK-së për shkallën në të cilën institucionet e Kosovës e kanë degraduar raportin me Qeverinë amerikane”, ka thënë Abdixhiku.
Ai përsëri i ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të bashkëpunojnë ngushtë me SHBA-të dhe partnerët tjerë.
“Për shtetin tonë të ri, aleanca me SHBA-të është jetike. Kështu ka qenë tash e më shumë se tri dekada. Aleanca dhe bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-të dhe me partnerët evropianë, Kosovës ia kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë. Populli i Kosovës është përjetë mirënjohës për gjithë angazhimin e partnerëve tanë.
Edhe një herë, u bëj thirrje institucioneve të vendit që të bashkëpunojnë ngushtë me SHBA-të dhe partnerët e tjerë, në funksion të shtrirjes së sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, të sigurisë dhe të prosperitetit për të gjithë”, ka shkruar tuje kryetari i LDK-së.