Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbajtur tryezë diskutimi me temën “Projektligji i Buxhetit të Kosovës për vitin 2023, Ligji i Pagave”, me sindikatat e sektorit publik në Kosovë.
Në këtë diskutim, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, është shprehur skeptik se Ligji i pagave do të hyjë në fuqi në vitin 2023.
“Në nëntor ishim takuar me ministrin e brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe na kishte kërkuar një qetësi dhe duke na premtuar se në mars do të ishim të kyçur drejtpërdrejt në hartimin e Ligjit të Pagave, duke i marr për bazë ato që i ofronim ne dhe na thanë se në fund të marsit do të jetë para deputetëve. Por çfarë ndodhi, në mars nuk kishim asnjë qasje në këtë ligj dhe duke e parë se çmimet po rriteshin dhe e kërkuam atë që tashmë dihet”, është shprehur Jasharaj.
Ndërsa kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Administratës, Ali Gashi, ka folur për Projektligjin për zyrtarët publikë, duke thënë se nëse ai hyn në fuqi, atëherë administrata do të jetë e politizuar.
“Nuk ka pasur transparencë nga Qeveria e Kosovës. Ky është një mashtrim i radhës dhe tendenca e politikës është për ta prishur strukturën organizative të shërbyesve civilë … realisht do të kemi administratë të kapur dhe politike”, është shprehur Gashi.
Deputetët e AAK-së në këtë diskutim kanë shprehur shqetësimet për mospërfshirjen e Ligjit të pagave në Projektligjin për buxhetin e vitit 2023.