Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë përmes një shkrese drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ministres së Tregtisë dhe Industrisë, ka kërkuar krijimin e një Ligj mbi Odat/Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë.
Bazuar në faktin që aktualisht është në shqyrtim Ligji mbi Odën Ekonomike të Kosovës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë kërkon zgjerimin e grupit punues të krijuar për të themeluar një Ligj mbi Odat/Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, në mënyrë që përfundimisht të gjitha ato të funksionojnë në kuadër të këtij ligji, e jo siç janë duke funksionuar aktualisht si organizata joqeveritare.
“Republika e Kosovës që nga paslufta ka përqafuar sistemin anglo-amerikan që mundëson krijimin e shumë dhomave/odave dhe jo sistemin tjetër ku në shtet ekziston vetëm një odë/dhomëdhe anëtarësia është e obliguar. Siç dihet, sistemi ligjor në Kosovë e rregullon vetëm punën e Odës Ekonomike, ndërsa të gjitha odat/dhomat tjera që funksionojnë në vend janë të krijuara si organizata joqeveritare. Përmes këtij ndryshimi do të mundësohet rregullimi i mënyrës së funksionimit të të gjitha odave/dhomave që ushtrojnë veprimtarinë në territorin e Republikës së Kosovës, përcaktohen kushtet dhe kriteret për të hapur një odë, e gjithashtu mundëson që odat/dhomat të konkurrojnë në mënyrë të barabartë me njëra – tjetrën. Përveç kësaj, Ligji për Odat/Dhomat është edhe në favor të bizneseve, sepse odat/dhomat do të aktivizohen vazhdimisht më shumë se sa aktualisht, në mënyrë që komuniteti i bizneseve që ato përfaqësojnë të jetë sa më i gjerë dhe të njëjtit të përfitojnë shërbime konkrete. Gjithashtu, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë konsideron që anëtarësimi në oda/dhoma duhet të rregullohet në vullnetin e bizneseve, të cilat mund të zgjedhin se në cilën Dhomë do të anëtarësohen (duke e vendosur në obligative apo vullnetare, varësisht se si do të vendoset). Republika e Maqedonisë së Veriut është një nga shtetet që ka të rregulluar Ligjin e Odave me të cilin rregullon themelimin, organizimin, punën, financimin dhe shuarjen e odave/dhomave ekonomike që ushtrojnë veprimtarinë në territorin e shtetit”, thuhet në komunikatë