Haxhiu: Pozita e ministrit të Shëndetësisë, peng i grupeve të interesit në VV e “Guxo”
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka kritikuar ashpër Qeverinë për mosemërimin e ministrit të ri të Shëndetësisë.
Haxhiu tha në Kuvend se Kurti s’po merr vendim për emërimin e ministrit të ri sepse sipas tij ka mbetur peng i grupeve të interesit në VV dhe Listën Guxo.
Ai tha gjithashtu se Komiteti për Shëndetësi është themeluar për ta përzënë ish-ministrin Latifi në SHBA.
“Albin Kurti s’merr vendim me emëru një ministër të Shëndetësisë, sepse ka mbetur peng e grupeve të interesit mes Vetëvendosjes dhe Listës Guxo. Komiteti për Shëndetësi u themelua për ta përzënë Rifat Latifin në Amerikë, dhe kjo dëshmohet sepse pas dorëheqjes së tij, më nuk u mbajt asnjë mbledhje nga Komiteti”, tha ai.
Kuvendi miraton Projektligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim projektligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.
Projektligji mori 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Në seancën plenare të Kuvendit, në rend dite janë edhe shqyrtimi i propozim-rezolutës për gjendjen në sektorin e shëndetësisë, shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2021 dhe shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për vitin 2021.
Kuvendi shqyrton propozim-rezolutën për gjendjen në shëndetësi
Kuvendi i Kosovës sot vazhdon seancën plenare me pikat e papërfunduara nga seancat plenare, të mbajtura më 7 dhe 24 tetor 2022.
Në rend dite janë: Votimi në parim i Projektligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar,
shqyrtimi i propozim-rezolutës për gjendjen në sektorin e shëndetësisë,
shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2021 dhe shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për vitin 2021.