Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Washington ka zhvilluar takime në Fondacionin Kombëtar për Demokraci (The National Endowment for Democracy – NED) dhe në Fondacionin Heritage.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se e ka falenderuar presidentin e NED për angazhimin në fuqizimin e shoqërisë civile dhe mediave të lira.
“Presidentit të NED, Damon Wilson, duke e falënderuar për kontributin e tij të deritanishëm, i kërkova që të vazhdojë punën e mirë në demokratizimin e institucioneve, me theks të veçantë fuqizimin e shoqërisë civile dhe mediave të lira e të pavarura”, shkruan Krasniqi.
Tutje, kreu i PDK-së, tha se shprehu mirënjohje edhe për punën e Fondacionit Heritage për përfshirjen e Kosovës në Indeksin e Lirive Ekonomike.
“Ndërkaq, zëvendëspresidentin e Fondacionit Heritage, James Jay Carafano, e falënderova për angazhimin në vendosjen e Kosovës në hartën globale ekonomike, përmes përfshirjes së Kosovës në Indeksin e Lirive Ekonomike, një raport vjetor i këtij fondacioni, në të cilin pasqyrohet liria ekonomike dhe korrelacioni i saj me faktorë substancialë si gjendja e arsimit, shëndetësisë, mirëqenies, ambientit, inovacionit dhe zhvillimit shoqëror”, thotë Krasniqi.
Lideri i PDK-së ka ritheksuar se mbështetja e SHBA-ve për Kosovën është e rëndësishme në secilin proces.
“Me miq dhe mbështetje aktive nga SHBA-të, shteti ynë do të jetë më demokratik, më i sigurt, me ekonomi më të zhvilluar dhe, po ashtu, me shoqëri civile e media aktive të cilat do të mbikqyrin të lirë secilin proces!”, shkruan Krasniqi.