Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka deklaruar se Kosova ndodhet përballë një situate të pashembullt në pjesën e veriore, pas largimit të komunitetit serb nga të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës.
Krasniqi, i cili ndodhet këto ditë në Uashington për takime me zyrtarë amerikanë, thotë se të gjithë ata që përcjellin zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë, presin përqëndrimin në arritjen e një marrëveshjeje finale me Serbinë.
Çështja e pazgjidhur targave është shndërruar në epiqendër të tensioneve. Qeveria e Kosovës po zbaton shkallë-shkallë këtë vendim, megjithë thirrjet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për ta shtyrë atë me dhjetë muaj.
Krasniqi thotë se çështja e targave nuk mund të jetë më e rëndësishme sesa marrëveshja finale.
“Është vendim legjitim i Qeverisë së Kosovës dhe askush nuk e konteston këtë, as partnerët tanë amerikanë dhe as ata në Evropë. Por kërkesa aktuale e miqve tanë, e mbështetësve kryesorë të Kosovës do të thoja është që të ketë një shtyrja disa mujore, konkretisht 10 mujore në mënyrë që t’i jepet mundësi avancimit të procesit të dialogut. Është pak vështirë që t’ua shpjegojmë partnerëve tanë këtu në Uashington se sot kemi një rrezikim të eskalimit të situatës për çështjen e targave të veturave sepse edhe njerëzit që e kanë përcjell Ballkanin Perëndimor dhe zhvillimet në Kosovë, kanë pritur që ne tash të jemi të përqëndruar në arritjen e një marrëveshjeje finale, të përgjithshme dhe të zbatueshme, obligative ndërkombëtarisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të përqëndrohet nga njohja e ndërsjellë. Andaj vërtetë është problematike që t’ua shpjegojmë që targat e veturave janë më të rëndësishme sesa çështja e marrëveshjes finale.”, tha ai.
Ai thekson nevojën për koordinim me Shtetet e Bashkuara, duke shtuar se gjatë gjithë viteve, jo vetëm të ekzistencës së shtetit të Kosovës, por sidomos në kohërat më të vështira të historisë së vendit, deri tek pavarësia e shtetndërtimi, të gjitha kanë qenë procese që kanë ndodhur vetëm falë koordinimit dhe përafrim të qëndrimeve me Uashingtonin.