Haga cakton tashmë një prokuror tjetër si u.d të Kryeprokurorit pas largimit të Jack Smith, ja kush është ai

Aktuale

Haga cakton tashmë një prokuror tjetër si u.d të Kryeprokurorit pas largimit të Jack Smith, ja kush është ai

Më: 18 nëntor 2022 Në ora: 00:25
Alex Whiting

Alex Whiting zëvendëson Jack Smith dhe bëhet Ushtrues Detyre i Prokurorit të Specializuar ë Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Përmes një komunikate për shtyp bëhet e ditur se Whiting do të ushtrojë funksionet e Ushtruesit të Detyrës të Prokurorit të Specializuar deri në emërimin e një Prokurori të Specializuar të ri.

Ai ka saktësisht të njëjtat kompetenca me ato të një Prokurori të Specializuar dhe nuk do të ketë ndërprerje të punës së ZPS-së në asnjë aspekt.

Kush është Alex Whiting?

Image
Alex Whiting

 Whiting, 58 vjeç, është prokuror me kombësi franko-amerikane me përvojë të gjerë në procedime penale në nivel vendor dhe ndërkombëtar. Ka punuar në ZPS që nga qershori i vitit 2019, fillimisht si Udhëheqës i Hetimeve, dhe duke filluar nga muaji gusht 2020 si Zëvëndës Prokuror i Specializuar.

Whiting ka ardhur në ZPS nga Fakulteti Juridik i Harvardit, ku ka punuar si profesor i praktikës ligjore që nga viti 2013. Midis vitit 2010 dhe 2013, z. Whiting ka qenë pjesë e Zyrës së Prokurorit në GJPN ku ka punuar fillimisht si Koordinator i Hetimeve, duke mbikqyrur të gjitha hetimet, dhe pastaj si Koordinator i Procedimeve Penale, duke mbikqyrur të gjitha ndjekjet penale.

Përpara se të bëhej pjesë e GJPN-së, Whiting ka dhënë mësim për tre vite si ndihmës profesor juridik i praktikës në Fakultetin Juridik të Harvardit. Midis vitit 2002 dhe 2007, z. Whiting ka punuar për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) ku ka qenë kryeprokurori i çeshtjes në gjykimin e Fatmir Limaj, Isak Musliu, dhe Haradin Bala, dhe kryeprokuror i çeshtjes në gjykimet e Milan Martiq dhe Dragomir Millosheviq.

Përpara se të bëhej pjesë e TPNJ-së, Whiting ka qenë prokuror federal në SHBA, fillimisht në Departamentin e Çeshtjeve Penale në Divizionin për të Drejtat Civile në Uashington DC dhe pastaj me Zyrën e Prokurorit të SHBA-së në Boston, Massachusetts, ku është përqëndruar në raste të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Whiting është i diplomuar nga Kolegji Yale dhe nga Fakulteti Juridik i Yale.

Smith largohet nga ZPS-ja dhe merr postin e Këshilltarit Special në Shtetet e Bashkuara për të mbikqyrur dy hetime penale në zhvillim, i emëruar në këtë post nga Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick B. Garland.

Smith është emëruar Prokuror i Specializuar në maj të vitit 2018 dhe ka marrë funksionet e tij në shtator 2018.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat