Takimi Kurti-Vuçiq për targat pritet të zhvillohet të hënën në Bruksel

Aktuale

Takimi Kurti-Vuçiq për targat pritet të zhvillohet të hënën në Bruksel

Më: 19 nëntor 2022 Në ora: 17:57
I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Fotografi nga arkivi.

Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, pritet të zhvillohet të hënën, më 21 nëntor. Kështu raporton Radio Evropa e Lirë bazuar në burime diplomatike.

Nga Qeveria e Kosovës sot kanë thënë se me gjasë takimi pritet të zhvillohet nesër, por duke mos treguar me saktësi nëse do të jetë pikërisht dita e dielë dita e takimit të “shpejtë” Kurti-Vuçiq.

Por sipas medias ky takim pritet të zhvillohet të hënën në Bruksel.

Gjatë ditës së djeshme, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë ftuar që “së shpejti” të shkojnë në Bruksel për t’u takuar në kuadër të dialogut që ndërmjetëson blloku evropian.

Kanë mbetur vetëm edhe dy ditë në nisjen e shqiptimit të masës së gjobave për ata që nuk i kanë ndërruar targat ilegale serbe.

Sipas vendimit të Qeverisë, personat që ngasin vetura serbe me targa ilegale, pas 21 nëntorit do t’ju shqiptohet gjoba prej 150 eurosh.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë vendimin për targa për të paktën 10 muaj, në mënyrë që tensionet të shmangen dhe të mos vijë deri te ndonjë përshkallëzim i situatës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat