Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, gjatë punimeve të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, takoi edhe ministren e Mbrojtjes Kombëtare të Holandës, Kajsa Ollongren.
Me këtë rast, Mehaj me Ollongren diskutuan rreth pikave ku mund të rritet bashkëpunimi, veçanërisht tani që veçse Kosova ka pranuar aprovimin për caktimin e atasheut jorezident të mbrojtjes që do të koordinoj bashkëpunimin me këtë shtet.
Gjithashtu, Ministri Mehaj e njoftoi për avancimet që Ushtria e Republikës së Kosovës ka bërë përmes implementimit të Planit Gjithpërfshirës të Tranzicionit, investimet që janë bërë në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, por dhe bashkëpunimin e ngushtë që e kemi me shtetet anëtare të NATO-s, me të cilët koordinojmë në baza ditore aktivitetet përmes këshilltarëve ndërlidhës të NATO-s (NALT), të cilët aktualisht janë duke shërbyer në Kosovë, të vendosur në zyret brenda objektit të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në vazhdim, dy ministrat u dakorduan që të bashkëpunojnë në çështjen e shkëmbimit të praktikave më të mira sa i përket inkuadrimit të vajzave dhe grave në FSK, e po ashtu në ngritjen profesionale të tyre përmes trajnimeve, si dhe pjesëmarrjes në misione të përbashkëta me Forcat e Armatosura Holandeze.