Zëdhëndësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë se Kosova ishte afër dokordimit që të pezullohet faza e gjobitjes për të vazhduar vetëm me qortime, teksa Serbia të heqte dorë nga tabelat me denominimet e qyteteve të Kosovës.
Mirëpo, sipas tij, për Kosovën ishte e papranueshme që kjo të mos shoqërohet edhe me qëllimin e takimit që ishte angazhimi me urgjencë për marrëveshje finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve.
“1. Serbia ka refuzuar propozimin për deklaratë të përbashkët që në paragrafin e I-rë kishte zotimin që të trajtohet me urgjencë propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes RKS-SRB, mbështetur nga Gjermania, Franca dhe ShBA. Pra, Serbia ka refuzuar propozimin e BE-së. 2. Ishte afër dakordimi që Kosova të pezullonte fazën e gjobitjes për të vazhduar vetëm me qortime teksa Serbia të heqte dorë nga tabelat me denominimet e qyteteve të Kosovës, mirëpo për Kosovën ka qenë e papranueshme që kjo të mos shoqërohet edhe me qëllimin e takimit që ishte angazhimi me urgjencë për marrëveshje finale për normalizim të plotë të Marrëdhënieve”, ka shkruar Manxhuka.
Sipas tij, ka qenë propozim i BE-së afati për marrëveshje në mars 2023.
Ai ka shtuar se Serbia është e interesuar që Kosova të heq dorë nga e drejta e vet, por jo në normalizim të marrëdhënieve.
“Serbia është e interesuar që Kosova të heq dorë nga e drejta e vet, por jo në normalizim të marrëdhënieve, dhe për këtë e ka refuzuar planin e BE-së dhe nuk ka dashur që ai plan të përfshihet në ndonjë pike”, ka përfunduar Manxhuka.