Në bisedimet në Bruksel, Kosova duhet ta shtrojë në agjendë, që Serbia duhet t’i dorëzojë kriminelët, që kanë kryer krime në Kosovë, dhe nuk duhet lejuar që t’i fshehë brenda kufijve të sajë. Për të ndodhur kjo, mundësia e arrestimit, duhet që Serbia menjëherë të heqë dorë nga kontrolli mbi strukturat paralele. Duke hequr dorë nga ky raport, ato struktura vet-thyhen, dhe do t’i dorëzohen institucioneve të Kosovës.
Të gjithë serbët e implikuar në krimet në veri të pasluftës, dhe në krimet aktuale, duhet të nxirren para drejtësisë, pa asnjë mëdyshje.
Serbia duhet të qortohet hapur nga udhëheqësit e dialogut për moskryerjen e detyrave të saja, mbi të gjitha për shuarjen dhe distancimin nga strukturat paralele.
Në fakt, Serbia, që atëherë vetëm sa e ka ndryshuar dhe transformuar organizimin e strukturave paralele.
Nëse sot, “Brigada veriu”, vërtetë udhëhiqet nga Milan Radojçiqi është më se e sigurt hipoteza që ngritëm se e ka ndjekur atë rregull, transformimin.
Radojçiqi dhe Zvonko Veselinoviçi ishin udhëheqës edhe të “Rojave të urës” së bashku me Oliver Ivanoviçin, të cilin e vranë pasi e humbën kontrollin ndaj tij. Për këtë vrasje nga prokuroria e Kosovës kërkohet arrestimi i Radojçiqit, por edhe i Veselinoviçit, si bashkorganizator në atentat.
Hambar për korrupsionin
Radojçiqi ka fletarrest edhe për rastin Brezovica, sipas prokurorisë ai i ka kërcënuar dhe frikësuar dëshmitarët.
Rasti Brezovica, për të cilin janë arrestuar shqiptarë e serbë, po rezulton të ketë qenë edhe një hambar për korrupsionin ku njerëz si Radojçiqi, kanë fituar qindra mijëra euro.
Por, gjithashtu edhe duke qenë si udhëheqës të “Rojave të urës” duke pasur detyra në siguri, dhe meqë ishin pjesë e grupeve kriminale, do të kenë fituar shuma të mëdha parash nga kontrabanda dhe veprimtaritë tjera kriminale, duke u bërë njerëz tejet të pasur në Serbi, dhe duke u kthyer në fuqi të nëntokës së pushtetit atje.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/November/22/auto_milan-radojcic011669137369.jpg)
Ndërsa, me marrëveshjen e vitit 2013 qe krijuar e ashtuquajtura “Mbrojtje territoriale”, shumica e saj më pas u ‘integrua’ në institucionet e Kosovës.
Në fakt, ndodhi një përpjekje për shuarje të saj, por jo reale, pasi të njëjtat struktura, njerëz dhe përfaqësues të tyre merrnin pozita të rëndësishme kudo brenda shtetit, në komuna, drejtësi, në Qeveri e Kuvend.
Të njëjtat fytyra me organizime të reja kriminale
Në emër të integrimit të strukturave paralele po bëhej një dëm edhe më i madh, duke e rritur fuqishëm listën e spiunëve serb në institucione dhe duke e rritur rrezikun, që ata të zgjeronin përfaqësimin e tyre në institucione duke i bërë pjesë të shërbimit agjenturor serbë edhe të tjerë, që nuk ishin.
Dhe tashmë pas sa vitesh na shfaqen me emër të ri, “Brigada e veriut”, të njëjtat fytyra me struktura të vjetra, afërsisht të njëjta, gjë që dëshmon se që të gjitha ishin të kontrolluara nga Serbia, dhe asnjëherë pa e humbur “zinxhirin e njerëzve” të angazhuar brenda saj.
Thuaja aspak nuk është ngritur madje as çështja e strukturave paralele, dhe marrëveshja e vitit 2013 për shuarjen e tyre, në bisedimet në vazhdim.
Sidoqoftë janë gabime strategjike të udhëheqësve të bisedimeve të Kosovës, të cilët nuk kanë shtruar çështje specifike, të cilat do ta mbanin Serbinë mbërthyer. Por, edhe në këtë pikë bashkëfajtor janë ndërkombëtarët, të cilët në vazhdimësi që nga pas lufta kanë ushtruar trysni në institucione dhe kudo, që shqiptarët, sa më pak të kujtojnë dhunën serbe, krimet serbe, duke e cilësuar si të shkuar. Në këtë aspekt, hyn edhe gjuha apo retorika tejet e butë e përdorur ndaj Serbisë gjatë bisedimeve.
Serbia gjithmonë mund të goditej për përgjegjësinë e drejtpërdrejt në organizimin, financimin dhe udhëheqjen e strukturave paralele në Kosovë.
Këtë çështje duhej ta godisnin çdo herë partitë politike, duhej t’i bënin kërkesa të vazhdueshme edhe bashkësisë ndërkombëtare, të pranishme në misione administrimi dhe në siguri.
Por, fatkeqësisht që nga pavarësimi i vendit, vetëm pak autor, media dhe pak politikanë kanë kërkuar shuarjen e strukturave paralele.
Është koha, që me marrëveshje Serbisë t’i ndalohet ndërhyrja në Kosovë, që t’i braktisë strukturat paralele dhe që t’i tërheq agjentët e BIA-s nga i gjithë territori i Kosovës!