Zëvendëskryeministri i Italisë, Antonio Tajani ka thënë se vizita e tij në Kosovë përcjell mesazhin që Italia përkrah Kosovën dhe Serbinë për të arritur marrëveshje. Ai ka thënë se Italia është në dispozicion të dy shteteve për të bërë çdo gjë që është e mundur në gjetjen e zgjidhjes për të dalë nga situata aktuale me targat. Tajani ka shtuar se situata nuk mund të përkeqësohet duke shtuar që nuk duhet merren nisma të njëanshme.
Pas takimit me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, politikani italian ka thënë se duhet të gjendet një zgjidhje në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Tajani: Gjendja nuk mund të përkeqësohet, mos merrni nisma njëanësore
“Kemi ardhur në vizitë unë dhe ministri i mbrojtjes për të thënë miq nga Kosovës, miq nga Serbia, gjendja nuk mund të përkeqësohet, mos merrni nisma njëanësore, duhet të gjendet një zgjidhje. E kam vlerësuar vendimi ne Kosovës për të shtyrë për 48 orë vendimin për targat, ky është një sinjal i gatishmërisë. Sot në mëngjes kam dëgjuar edhe fjalë të gatishmërisë nga ana serbe, andaj duhet të mbështesim një takim në mes të gatishmërive, andaj ne këtë mund ta bëjmë, këtë duam të bëjmë, natyrisht jemi edhe të gatshëm të dëgjojmë çdo kërkesë që do të bëhet nga bashkëbiseduesit tanë. Ne shtymë përpara për të arritur stabilitetin, qëndrueshmërinë, për të biseduar”, ka thënë zëvendëskryeministri italian.
Ai ka thënë se nga bisedat që ka pasur me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë ka kuptuar që asnjëra palë nuk është e interesuar të pengojë dialogun.
Tajani: Vendimi i qeverisë së Kosovës për të shtyrë gjobat për 48 orë është sinjal pozitiv
“Kosova në këto orë po dëshmon se nuk do të mbyll dialogun, unë këtë e kam pranuar në dy takimet dhe kjo më jep shpresë, kemi ardhur këtu të kërkojmë të zgjidhim problemin, nuk duhet të bëhemi me njërën palë ose me tjetrën palë, prandaj ne duam të qëndrojmë në mes por jo për të krijuar probleme por për të kërkuar që këto probleme t’i zgjidhim, prandaj ne nuk e mbështesim një palë kundër palës tjetër duam që në hapësirën e Ballkanit problemet të zgjidhen dhe të mos rritën. Kam dëgjuar fjalë pozitive në Beograd dhe e kam konsideruar pozitiv faktin që qeveria e Kosovës ka vendosur të pres edhe 48 orë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Italia dëshiron të jetë protagoniste e paqes dhe stabilitetit në Ballkan.
Ndërsa zëvendëskryeministrja e Kosovës ,Donika Gërvalla ka thënë se gjatë takimit kanë biseduar rreth përpjeke të Serbisë për destabilizimin e Kosovës.
Gërvalla: Me homologun italian biseduam për përpjekjet e Serbisë për destabilizimin e Kosovës
“Gjithashtu biseduam rreth rrethanave gjeopolitike në Evropë por edhe në rajonin tonë. Biseduam për përpjekjet e Serbisë për destabilizimin e Kosovës përmes ndërhyrjeve masive në çështjet e brendshme të vendit tonë ,kërcënimeve me dhunë e deri të kërcënimet jo të rralla me luftë. Biseduam që sundimi i ligjit është përgjigja e cila është e nevojshëm të jepet në të gjithë rajonin tonë jo vetëm në Kosovë, sepse vetëm sundimi i ligjit, trajtimi i barabartë i gjithë qytetarëve të vendit përballë ligjit mund të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme për problemet e rajonit tonë”, ka thënë zëvendëskryeministrja e Kosovës.
Ajo ka thënë se me homologun italian kanë biseduar edhe për dialogun Kosovë-Serbi në të cilin sipas saj në të kaluarën janë bërë gabime.
Gërvalla: Në të kaluarën në dialog janë bërë gabime, do të përpiqemi të mos përsëriten
“Theksova që janë bërë jo rrallë gabim në të kaluarën në dialog që ka që nga viti 2011 që zgjatë dhe prandaj së bashku me aleatët dhe partnerët tanë të cilët e kanë shoqëruar Kosovën gjatë gjithë rrugëtimit të saj do të përpiqemi që gabimet e së kaluarës të mos përsëritën dhe që dialogu të jetë i qartë, të jetë i fokusuar në një zgjidhje të shpejtë”, ka thënë Gërvalla