Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po viziton komunat e vendit, ku po bashkëbisedon me qytetarët e këtyre komunave për buxhetin e vitit 2023, projektet dhe nismat që kanë për qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve e zhvillimin e ekonomisë sonë.
Takimin dhe bashkëbisedimin e parë me qytetarë, Kryeministri Kurti e pati në Komunën e Prizrenit, bashkë me dy ministrat e Qeverisë së Kosovës, Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Muratin dhe me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqin, ku të pranishëm ishin dhe deputetë, këshilltarë nëpër ministri dhe zyrtarë të tjerë komunal e qendror.
Kryeministri Kurti theksoi se buxheti i vitit 2023, pra 3 miliardë e 212 milionë euro, është më i larti në historinë e Republikës tonë. Kjo pasi përkundër sfidave e krizave globale, vitin e kaluar e kishim vitin më të suksesshëm në historinë e shtetit tonë, për sa i përket të hyrave buxhetore dhe rritjes ekonomike .Edhe në vitin 2023, siç theksoi ai, mirëqenia, shëndetësia, arsimi, mbrojtja e bujqësia vazhdojnë të jenë prioritetet e Qeverisë së Kosovës.
Në fjalën e tij para qytetarëve të kësaj komune, kryeministri bisedoi rreth ndarjes buxhetore për Komunën e Prizrenit, në sektorin e shëndetësisë, arsimit, kulturës, në infrastrukturë e shumë projekte e nisma të tjera. Për Komunën e Prizrenit, buxheti për vitin 2023 është mbi 92.5 milionë euro.
Pas fjalës së tij dhe prezantimit të buxhetit për vitin 2023, Kryeministri Kurti mori pjesë në bashkëbisedim me qytetarët e kësaj komune për t’i dëgjuar ata rreth çështjes së buxhetit.
Fjala e kryeministrit Kurti në prezantimin e Buxhetit për vitin 2023 para qytetarëve të komunës së Prizrenit:
Të nderuar qytetarë të Komunës së Prizrenit, Të dashur qytetarë të Republikës, Zonja dhe zotërinj, Motra dhe vëllezër,
Mirë se po takohemi në qytetin e bukur të Prizrenit.
Jam i lumtur që jemi këtu sot, bashkë me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Muratin dhe me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqin, që të flasim për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, për projektet dhe nismat, për ta lehtësuar jetën e qytetarëve e për ta zhvilluar ekonominë tonë.
Këtu bashkë janë edhe disa deputetë të Kuvendit të Republikës, pastaj këshilltarë nëpër ministritë tona dhe zyrtarë të tjerë komunal e qendror.
Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro, pra 3 miliardë e 212 milionë euro, prej të cilave të hyra buxhetore do të jenë 2 miliardë e 884 milionë euro. Ky buxhet, është më i larti në historinë e Republikës tonë. Kjo pasi përkundër sfidave e krizave globale, vitin e kaluar e kishim vitin më të suksesshmin në historinë e shtetit tonë, për sa i përket të hyrave buxhetore dhe rritjes ekonomike.
Për Komunën e Prizrenit, buxheti për vitin 2023 është mbi 92.5 milionë euro, pra mbi 92 milionë e gjysmë ose saktësisht 92 milionë e 564 mijë e 537. Po ua them saktësisht sa është, sepse ju jeni ata që duhet ta shikoni secilën euro e secilin cent se si investohet e shpenzohet, me ç’rast prej këtyre mbi 92.5 milionë euro për shpenzime kapitale në Prizren, kemi ndarë mbi 32 milionë euro, pra mbi 32 milionë euro. Apo saktësisht 320.72.593.