Analistët politikë: Targat pretekst i Vuçiqit për ta kërkuar Asociacionin

Aktuale

Analistët politikë: Targat pretekst i Vuçiqit për ta kërkuar Asociacionin

Më: 22 nëntor 2022 Në ora: 20:39
Foto ilustrim

Çështja e targave është një kartë politike e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq që e përdor si pretekst për kërkimin e themelimit të asociacionit të komunave serbe. Kështu e kanë cilësuar qasjen e presidentit serb, politologë e analistë kosovarë.

Politologu Dorajet Imeri thotë se Kosova ka vepruar si duhet në rastin e shtyrjes së vendimit për 48 orë të zbatimit të gjobave për qytetarët me targa ilegale serbe.

"Serbia është e interesuar që me çdo kusht ta themelojë asociacion dhe pastaj eventualisht të mund të fillojë një proces tjetër negociues atë të një marrëveshje që mund të konsiderohet për normalizimin e marrëdhënieve, ndërkaq Kosova është e interesuar të mund të fillojë procesin negociues pa themeluar asociacion dhe mendoj që në këto raste targat janë si mekanizmi i kontrollimit të raporteve se deri ku mund të shtrihen ndikimet", tha Imeri për RTK

Analistja Arta Tahiri-Beqa thotë se qeveria e Kosovës duhet të ketë një bashkërendim më të theksuar e më të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne e dimë që gjithmonë vendimet e mëdha janë marrë në bashkëpunim me SHBA, nga këndvështrimi i im duke njohur diplomacinë e marrëdhënieve ndërkombëtare po shohim që Bashkim Evropian, realisht në çështjen e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë njëanshmëria e herëpashershme po tregon që nuk e ka një kredibilitet dhe suksese rreth kësaj çështjeje’, tha Tahiri-Beqa.

Imeri e Beqa kanë thënë se Serbia vazhdon ta luajë rolin e viktimës dhe në këtë rast Serbia është duke u favorizuar në një farë forme nga Bashkimi Evropian.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat