Kurti: Nuk është koha për ambicie të vogla, është koha e hapave të mëdhenj

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një konferencë pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se afati prej 48 orësh për targat u shty për t’i dhënë një mundësi arritjes së një marrëveshje që ishte afër të ndodhte në Bruksel.
“Po bëhen përpjekje maksimale, jemi treguar konstruktiv e aktiv, e asnjëra prej tyre nuk vlen për palën tjetër. Në takimet e tanishme kemi qenë të tillë e të tillë do të jemi edhe në takimet e ardhshme përfshirë edhe atë që zëvendësi im do ta ketë me Lajçakun e përfaqësuesin e Serbisë”, tha Kurti.
Kreu qeveritar tha se propozimi evropian i mbështetur nga Gjermania, Franca e SHBA duhet të vendoset në tryezë një orë e më parë.
“Nuk është koha për ambicie të vogla, është koha e hapave të mëdhenj. Unë si kryeministër e si Republikë jemi të gatshëm që propozimi i BE-së i mbështetur nga SHBA, Gjermania e Franca të vendoset në tryezë një orë e më parë”, shtoi kreu i ekzekutivit.
Këto deklarime kreu qeveritar i bëri pasi fillimisht foli për dy projektligjet që kaluan si kabinet atë për Zyrtarët Publik dhe Ligjin e pagave.
Kurti ka treguar se sa do të jetë dallimi në pagë, duke marr shembull pagën e presidentes dhe një ushtari të thjeshtë.
“Projektligji adreson këtë problematikë dhe sjellë dallimin në më pak se pesë herë. Në bazë të projektligjit, dallimi në mes të koeficientit të Presidentit si komandant suprem dhe ushtarit të thjeshtë të FSK-së është vetëm 3.21 herë, ndërsa dallimi mes pagës së presidentit dhe mjekut specializant është vetëm 1.5 herë, pra presidentja e ka pagën më të madhe se mjeku specializant vetëm 1.5 herë”, tha ai.
Kurti tregoi se këto projektligje do të hyjnë në fuqi pas miratimit në Kuvend e dekretimit nga presidentja.