Kurti jep sinjale se nuk takohet më me Vuçiqin veç për targat

Aktuale

Kurti jep sinjale se nuk takohet më me Vuçiqin veç për targat

Më: 23 nëntor 2022 Në ora: 11:03
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është i “çdoherë i gatshëm” të shkojë në Bruksel për t’u takuar sërish me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Por, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Kurti tregoi se për çfarë teme diskutimi do ta merrte sërish atë udhë.

“Unë jam çdoherë i gatshëm që t’i përgjigjem ftesës për takime që për temë kanë marrëveshjen finale, ndërkombëtarisht e ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me njohjen reciproke në qendër”, tha Kurti para ministrave.

Paraprakisht, shefi i Qeverisë tha se qëllimi i takimeve të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë marrëveshja finale me njohjen reciproke, ndërsa përsëriti se kryediplomati europian, Josep Borrell “hoqi dorë” nga propozimi paraprak i BE-së për marrëveshjen që fillimisht u emërua si “plani franko-gjerman”.

“Liderët shtetërorë thirren për ta bërë marrëveshjen e madhe e finale”, tha Kurti.

“Po e ripërsëris, unë nuk jam as polic, as komandant stacioni, as shef kadastri, as zyrtar dogane që të merrem me gjithëfarë çështjesh teknike të cilat dalin përgjatë bisedimeve. Ne jemi shtet me institucione dhe organe përkatëse të cilat kanë shumë njerëz të zotë”, shtoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat