Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi në Bruksel

Aktuale

Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi në Bruksel

Më: 23 nëntor 2022 Në ora: 22:36 Përditësuar në ora: 22:58 më 23.11.2022
Pamje nga Brukseli

Pas marrëveshjes, kjo është kërkesa e Besnik Bislimit

Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nuk ka dhënë detaje sa i përket marrëveshjes së fundit të arritur mes Prishtinës zyrtare dhe Beogradit zyrtar, të mërkurën në Bruksel.

Megjithatë ai tha se pas marrëveshjes së sotme, “ne duhet të vazhdojmë bisedimet tona intensive për propozimin e BE-së, të mbështetur nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të plotë të marrëdhënieve”.

Kështu u shpreh ai në rrjetin e tij social Twitter, ndonëse për ujdinë e targave nuk shpalosi informacione të reja.

Sidoqoftë, kryediplomati Borrell tha se Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.

“Unë do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm. E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak palët për punën e palodhur”, shtoi diplomati spanjoll.

Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi në Bruksel

Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, ka njoftuar se Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje mes vete në Bruksel, pas disa orëve të bisedimeve.

Ai me anë të një postimi në Twitter tha se “ne kemi një marrëveshje”.

Mes tjerash, diplomati spanjoll tha se palët kanë rënë dakord për masat që të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm dhe të përqendrohen plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë nën lehtësimin e BE-së kanë rënë dakord për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, shkroi ai.

"Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t'i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm. E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak palët për punën e palodhur", shtoi tutje ai.

Kryenegociatorët e dy shteteve janë takuar të mërkurën në Bruksel në një takim që ka zgjatur më shumë se gjashtë orë diskutime në ditën e fundit të afatit shtesë për marrëveshjen mbi targat, para se Kosova të fillonte dënimin e shoferëve me targa ilegale në vetura.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është takuar me Petar Petkoviqin, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Me kërkesë të SHBA-së, Kosova e pati shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e veturave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Për këtë ka shkruar edhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami. "Pas orëve të gjata, kemi arritur objektivin tonë: kemi një marrëveshje. Tash bisedimet intensive për normalizim të plotë mund të fillojnë".

Faza e parë parashihte qortimin, e dyta parashihte shqiptimin e gjobës dhe më vonë parashihej të vendosen disa targa provuese.

Sipas vendimit të Qeverisë, pas 21 prillit, në Kosovë nuk duhet të ketë më automjete me targa të tilla që lëshojnë autoritetet serbe.

Serbia – e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan – duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht automjetet me targa të paligjshme – kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat