A po këndellet Shqipëria ndaj Kosovës! – Helmi i dorëzgjaturit të Serbisë

Aktuale

A po këndellet Shqipëria ndaj Kosovës! – Helmi i dorëzgjaturit të Serbisë

Nga: Idriz Morina Më: 25 nëntor 2022 Në ora: 21:08

Pas një diplomacie helmuese për Kosovën, të udhëhequr nga Edi Rama, duket se ka shenja që ajo po merr fund.

Aq shumë e ka goditur Kosovën dhe aq shumë i ka dalë zot Serbisë, sa më shumë shihet sot, si një dalzotës i serbëve se i shqiptarëve.

Sa herë që ne shpresonim se Serbia do të goditej nga Perëndimi, për shkak të afrisë së saj me Rusinë, mbrojtjen dhe mosndëshkimin e Kremlinit për luftën dhe gjenocidin në Ukrainë, i dilte në krah shpëtimtari Rama, dhe nuk lejonte të zhytej Serbia në humbjen e besimit nga Perëndimi.

Kur, atëherë më së forti duhej të godiste diplomacia shqiptare, ai bënte pikërisht të kundërtën, ia zgjaste dorën Serbisë, dorëzgjaturi Rama, dhe i kundërvihej së pari Kosovës dhe së dyti Perëndimit.

Luan në mbrojtje të Serbisë, “gjakatar” për shqiptarët kosovarë!

Një formulë kjo, mbi të cilën për 50 vjet Shqipëria e Enver Hoxhës godiste pa pushim patriotët shqiptarë, që e mbronin Kosovën. Ndërsa, regjimi i diktatorit Hoxha mund ta bënte këtë edhe për shkak të sëmundjes nervore që kishte diktatori, si paranojës, e psikopatit, por gjithmonë retorika komuniste gjente arsye, që edhe internimet, burgosjet, krimet makabre ndaj “kosovarëve”, t’i paraqiste si vepra të duhura për shtet e atdhe! Një urrejtje, që kurrë nuk pushoi atje!

Edi Rama, sot nuk e ka këtë mundësi të vrasjeve, të internimit, por për ta zbrazur Shqipërinë, do t’ia kishte lakmi edhe Enveri, Mugosha e Rankoviçi!

Por, çfarë po ndodhë në diplomacinë e Shqipërisë, cilën lojë do ta luajë tani!?

Nëse nuk është thjesht retorikë, ajo që tha sot në Prishtinë, kryediplomatja shqiptare, Olta Xhaçka, duhet të merret seriozisht, dhe të paktën shqiptarët të jenë më të relaksuar në ditët festive të Ditës së Flamurit, flamurit zyrtar për mbi gjashtë shekuj, dhe një prej simboleve më të lashta botërore, të paktën i argumentuar se u përdor nga paraardhësit tanë para më shumë se 2.500 viteve.

“Ne vazhdojmë ta mbështesim Kosovën. Në këtë kontekst, është mbështetja ndaj dialogut dhe arritja e marrëveshjes së detyrueshme që sjell njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Është domosdoshmëri për mbarë rajonin tonë”, tha Xhaçka.

Image
Arritja e marrëveshjes së detyrueshme që sjell njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB është domosdoshmëri!

Dy kushte fundamentale

Pra, sipas saj, në këtë rast Shqipërisë, janë dy kushte fundamentale që duhet të ndodhin, njohja e ndërsjellë, dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB, i cili i jep fund dilemave dhe trazimeve edhe për shtetet mosnjohëse dhe për organizatat ndërkombëtare që në një mënyrë apo tjetër na kontestojnë apo përbuzin.

Kërkesa e Shqipërisë për njohje të ndërsjellë vjen në çastin e duhur, pasi plani i përfolur si franko-gjerman, nuk e parasheh në mënyrë eksplicite njohjen e Kosovës nga Serbia.

Në këtë kontekst, një trysni në rritje nga Shqipëria, veçanërisht si anëtare e NATO-s, mund ta ndihmojë shumë Kosovën, që të mos trandet nga çfarëdo paparashikueshmërie që mund të vie.

Këto qëndrime janë inkurajuese, por edhe në kohën e duhur pas njëlloj goditjeje, që ia dha Serbia Kosovës e përkrahur nga figura si Borell dhe të tjerë, me miratimin në heshtje të plotë të Tiranës zyrtare!

Të shpresojmë se dalldia e Edi Ramës për Serbinë po merrë fund, dhe se shteti i parë shqiptarë modern, po merr në mbrojtje interesat autoktone shqiptare, dhe jo ato ardhacakë serbe dhe të panortodoksisë, ruso-serbe-greke!

Por, Rama nuk është i vetëm, krah tij janë media të tëra në Shqipëri, e politikanë, por edhe në Kosovë, që e mbështesin atë, dhe heshtin, sa herë e bën rolin e heroit për Serbinë!

Por, nuk janë të pakët as ata shqiptarë, që nuk kënaqen po nuk lexuan serbisht, po nuk panë shkrime për Serbinë, Vuçiqin dhe të tjerë, duke ngarendur si të ishte fjala për rituale magjike, pavarësisht, që asnjë të re nuk mësojnë, veçse përsëritjen e goditjeve-kamxhikosjen për shqiptarët e Kosovën, dhe ritregimin e gënjeshtrave, për përkatësinë e Kosovës, dhe kërcënimin se sërish do të na pushtojnë një ditë!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat