Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi Ehamet Miftaraj, ka komentuar rastin e keqtrajtimit të një fëmije pesë vjeçar nga logopedi Eliasa Fazliu.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Miftaraj ka thënë se transparenca dhe llogaridhënia janë virus kundër korrupsionit, keq menaxhimit, kulturës së pandëshkueshmërisë, sjelljeve të papranueshme.
“Kur s’ka transparencë dhe llogaridhënie s’ka meritokraci, por ka emërime politike, nepotizëm, klientelizëm. Sot në shumicën e rasteve emërohen në pozita kyçe jo profesionistet por personat që janë lojal ndaj partisë dhe pushtetit, servilët.
Pushteti në Kosovë në vitet e fundit më së shumti ka investuar në promovimin e kulturës së pandëshkueshmërise, dhe sulmin ndaj secilit që guxon me raportu ose kërku transparencë dhe llogaridhënie”, ka thënë ai.
Sipas tij, mekanizmat e llogaridhënies kur dështojnë, na serohen pamje dhe fenomene të tilla të cilat prekin ndjenjat e secilit që ka pak njerëzi!
Në fund Miftaraj kujtoi faktin që në Kosovë për më shumë se 6 javë nuk ka as Ministër të Shëndetësisë.
"Kanë kaluar më shumë se gjashtë javë dhe ne ende skemi Ministër të Shëndetësisë, dhe kjo tregon mjaftueshëm se sa kemi interes për shëndetësinë, për qeverisjen e mirë, për interesin e publikut", përfundoi ai.