Urimi i Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Qerim Qerimi, me rastin e festës së 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit:
Të dashur studentë,
Të nderuar anëtarë të personelit akademik dhe administrativ të Universitetit të Prishtinës,
Të nderuar qytetarë,
Kjo ditë shënon një ndër festat më kuptimplote të kombit tonë. Dita e Flamurit Kombëtar paraqet njërën ndër datat më të rëndësishme në kalendarin kombëtar, të cilën tash e 110 vjet, e festojmë me shumë ngazëllim dhe krenari.
Ky muaj, i mbushur me data të shënuara për popullin shqiptar, përveç që na sjell momentet e festës, na bënë të rikujtojmë aspiratat, vlerat dhe vizionin tonë kombëtar. Ky vizion vështirë do të bëhej i mundur pa kontributin e pashoq të universiteteve. Edhe Universiteti i Prishtinës, për mbi pesë dekada që nga themelimi, duke krijuar kuadrot intelektuale dhe profesionale të vendit, i ka shërbyer vizionit për liri dhe shtet-ndërtim dhe mbetet i palëkundur në misionin e tij human, intelektual dhe institucional të përparimit dhe zhvillimit shoqëror, duke luajtur rol qendror në formësimin e vlerave shoqërore, plotësimin e nevojave dhe realizimin e aspiratave të tij.
Në këtë 28 Nëntor, ju përcjell urimet më të përzemërta!
I juaji,
Prof. dr. Qerim Qerimi, rektor