Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu thotë se nuk e kupton pyetjen se a ka humbur apo fituar Kosova ngamarrëveshja e targave e arritur në Bruksel.
Ajo ka thënë se Kosova arriti të rikthente në diskutim çështjen e planit franko-gjerman dhe njohjen e komunave të saj.
“Është një dakordim prej të cilit sigurisht që ne kemi përfituar madje unë nuk e kuptoj se pse na bëhet kjo pyetja a kemi përfituar apo humbëm. Kemi përfituar sepse arritëm që të kthejmë në diskutim çështjen e planit franko-gjerman të cilin Serbia e ka refuzuar qysh herën e parë kur ai është prezantuar nga ana e emisarëve të Francës dhe Gjermanisë.
Nuk kanë dashur as të diskutojnë fare për atë plan që ne kemi pasur dakordim se kemi menduar që është një bazë e mirë mbi të cilin mund të dialogojmë pavarësisht asaj që kemi pasur dyshimet tona dhe i kemi prezantuar cilat janë ato dhe kemi kërkuar që mbi ato çështje të ketë mundësi të diskutohet gjatë rrugës”, ka deklaruar Kryeziu në RTV Dukagjini.