Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se i mbështet institucionet e sigurisë dhe drejtësisë si: Policia, gjykatat e prokuroria të cilat siç është shprehur ministrja, “duhet të zgjohen, misioni i vetëm i të cilave është që të veprojnë”.
Sipas një komunikate të lëshuar për medie nga Ministria e Drejtësisë, Haxhiu këto deklarime i ka bërë gjatë në tryezën me temë: “Dhuna ndaj vajzave –Drejt parandalimit dhe reagimit efektiv”.
“Jam bashkë me ju edhe në thirrjet tjera ndaj institucioneve si policia, gjykata e prokuroria, të cilat duhet të zgjohen, misioni i vetëm i të cilëve është që të veprojnë. Të veprojnë në bazë të ligjit, dhe kompetencave që kanë”, tha ministrja e Drejtësisë.
Sipas komunikatës, Haxhiu tha se me përkushtimin e shoqërisë civile dhe tashmë edhe përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, është shtuar angazhimi në ndërgjegjësimin e qytetarëve sa i përket dhunës ndaj grave.
“Ministrja Haxhiu tha se me përkushtimin aktiv të shoqërisë civile, dhe sot me institucionet e Republikës, është rritur angazhimi në ngritjen dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe të institucioneve, që të kenë vëmendjen e merituar ndaj dhunës si fenomen, ndaj vajzave dhe grave, ndaj viktimave, dhe të ketë drejtësi për ato”, thuhet në komunikatë.
Haxhiu tha se për herë të parë Ministria e Drejtësisë ka marrë përsipër organizimin e fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.