Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot Kosovën.
Një grua shtatzënë është vrarë para Klinikës së Gjinekologjisë së Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe QKUK.
“Qendra Klinike Universitare e Kosovês konfirmon se sonte rreth orës 18:00, në oborrin e QKUK-së ka ndodhur një vdekje. Organet policore menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe dyshimet e para nga Policia janë se bëhet fjalë për vrasje Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim të sqarimit të plotë të ngjarjes. Detajet e tjera do të jepen nga organet kompetente që janë duke kryer hetimet”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë se bëhet fjalë për një grua të moshës 35-vjeçare.
“Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, tha ai.