Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se kryeministri Albin Kurti, në reagimin e tij për vrasjen e gruas shtatzënë foli më shumë si analist e opozitar se sa që mori e kërkoi përgjegjësi institucionale.
Abdixhiku me këtë rast kujtoi faktin që shteti nuk ka prokuror tash e një vit, ndërsa kryeministri ua ka zbritur pagat gjithë sistemit të drejtësisë.
Ai ka kërkuar nga Kurti që të kërkojë përgjegjësi, të marr masa e të veprojë.
Postimi i plotë:
Kryeministri na flet si analist e si opozitar.
Ende nuk e kupton që është udhëheqës i shtetit.
Nëse do shërbime më të mira spitalore – dhe siguri brenda spitaleve tona – të mos presë mbi 100 ditë për të vënë një ministër të shëndetësisë. Të tretin në më pak se dy vite qeveri.
Po të donte rend e ligj, nuk do ta linte shtetin pa Kryeprokuror tash e një vit e nuk do t’ia zbriste pagat gjithë sistemit të drejtësisë, për të shkaktuar kaos aty.
Një sistem i tërë drejtësie është në greve; mbi 500 lëndë në ditë shtyhen si pasojë e kësaj përplasjeje të panevojshme.
Nëse do përgjegjësi, le të merret me ministrin e Brendshëm të tij dhe gjithë zinxhirin komandues, të cilin vetë e ka caktuar ai – nga Drejtori i Policisë e poshtë.
Një grua shtatzënë kishte urdhër mbrojtje. Shteti i udhëhequr nga ai, ka rënë në çdo drejtim.
Përgjegjësi kërko Kryeministër! Merr masa, vepro.
Për atë punë je aty.