Kanë kaluar më shumë se 24 orë që kur Hamide Magashi, 35-vjeçare u vra në oborrin e QKUK-së dhe vrasësi dyshohet të jetë Sokol Halili, 31-vjeçar – ish-burri i viktimës.
Ai ka ikur dhe i është gjetur vetëm vetura. Policia e Kosovës ka publikuar fotografinë e tij duke kërkuar ndihmë nga qytetarët për çdo informacion të mundshëm për vendodhjen e tij.
Por aparati shtetëror ka dështuar në tërësi. Sokol Halili kishte aktakuzë të ngritur për kanosje dhe armë-mbajtje pa leje.
Tashmë e ndjera Hamide Magashi disa herë ishte ankuar në Polici. Asgjë – pa rezultat.
Asaj i është dhënë një mbrotje në letër – dhe kaq! Një mbrotje që natën e 30 nëntorit mbeti një cope letre turpi – pasqyrim neglizhence për një aparat shtetëror.
“Do ta vras burrin e motrës dhe do të bëj seks në prezencën tënde”. Këto ishin fjalët e të dyshuarit që ishin raportuar në organet ndjekëse nga viktima Hamide Magashi në korrik të këtij viti.
Kjo nuk ka mjaftuar që ky kërcënues të burgoset. Ndërkaq familjarët e së ndjerës gjatë ditës kanë thënë se i dyshuari vazhdimisht kishte qëlluar rreth shtëpisë së tyre.
Dorëheqje në Polici, QKUK e në asistencë sociale nuk ka. Kryeministri i Kosovës i ka kërkuar këto dorëheqje.
Në anënt tjetër, shoqëria ka reaguar – kishte një protestë në sheshin e Prishtinës “Zahir Pajaziti”, por jo e madhe sa reagimet e shumta nëpër rrjetet sociale.
Krejt kjo, qartazi tregon një dështim të tërësishëm sistemi që nuk arriti dot ta mbronte një qytetare të saj përkundër se disa herë i kishte kërkuar ndihmë.