Gjatë së mërkurës së 30 nëntorit Hamide Magashi u qëllua për vdekje me tre plumba nga ish-burri i saj Sokol Haliti. E ndjera ishte në javën e fundit të shtatzënisë.
Sokoli krimin dyshohet se e kreu para dyerve të klinikës së Gjinekologjisë – aty ku ishte e shtrirë që nga e shtuna.
Ngjarja sipas policisë ka ndodhur rreth orës 18:00.
Por, vdekjen e kësaj gruaje nuk e konstatuan mjekët e QKUK-së.
Ishin zyrtarët policorë ata të cilët e thirrën ekipin e Mjekësisë Urgjente të Prishtinës që të intervenonte për këtë rast, ani se Klinika Emergjente e QKUK-së nuk ishte 300 metra më larg se sa vendi i ngjarjes.
Këtë ia konfirmoi Gazetës Shneta edhe drejtori i QMU-së Dr. Avdyl Pacolli. Ai ka bërë të ditur se Urgjenca është thirrur nga Policia e Kosovës në orën 18:18 minuta, ndërsa ekipi i mjekëve ka arritur në vendin e ngjarjes në ora 18:23 minuta.
“Po mund t’ju konfirmoj se ekipa jonë e ka konstatuar vdekjen e gruas shtatzënë. Urgjenca ka marr thirrje nga Policia në orën 18:18, ndërsa ekipa ka arritur në ora 18:23. Ka qenë mjekja Tevide Novoberdali e cila e ka konstatuar vdekjen e nënës”, ka deklaruar Pacolli.
Policia dje në njoftimin zyrtar ka bërë të ditur se për rastin është njoftuar në orën 18:00.
Pacolli ka thënë se kjo nuk është hera e parë që marrin thirrje për të intervenuar brenda hapësirave të QKUK-së
Deri më tani autori i krimit ende nuk është kapur nga Policia e Kosovës.