Instituti ATOMI i cili identifikon dhe përkrah persona me inteligjencë të jashtëzakonshme në Kosovë ka arritur edhe një njohje të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.
Sipas njoftimit, bëhet e ditur se ATOMI është certifikuar nga Këshilli Botëror për fëmijë me dhunti e talente (World Council for Gifted and Talented Children – WCGTC) si organizatë anëtare (Affiliate of the WCGTC) për Kosovë.
“Kjo është një arritje shumë e rëndësishme për një organizatë nga Kosova, e cila bën punë profesionale të krahasueshme me organizatat homologe botërore, megjithëse me resurse të kufizuara financiare e profesionale”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Instituti ATOMI bëhet anëtare e World Council for Gifted and Talented Children – WCGTC
Instituti ATOMI që merret me identifikimin dhe përkrahjen e personave me inteligjencë të jashtëzakonshme në Kosovë është certifikuar nga Këshilli Botëror për fëmijë me dhunti e talente (World Council for Gifted and Talented Children – WCGTC) si organizatë anëtare (Affiliate of the WCGTC) për Kosovë.
Si rezultat i kësaj, ATOMI tashmë është bërë anëtare e Këshillit Botëror për fëmijë me dhunti e talente së bashku me dhjetëra organizata e federata organizatash të vendeve të ndryshme nga mbarë bota.
Kjo është një arritje shumë e rëndësishme për një organizatë nga Kosova, e cila bën punë profesionale të krahasueshme me organizatat homologe botërore, megjithëse me resurse të kufizuara financiare e profesionale.
Për dijeni, Këshilli Botëror për Fëmijët me Dhunti dhe Talente (The World Council for Gifted and Talented Children - WCGTC) është një organizatë botërore jo-profitabile që merret me avokim dhe mbështetje te fëmijëve me dhunti. WCGTC është një organizatë e larmishme që rrjetëzon të gjithë globin me një grup të anëtarëve aktivë nga komuniteti hulumtues, nga ekspertë të fushës së edukimit, si dhe palë te tjera të interesuara në zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve me dhunti e talente të të gjitha moshave. WCGTC përbëhet prej anëtarëve të saj, komitetit ekzekutiv dhe delegatëve ndërkombëtarë. Këshilli Botëror për Fëmijët me Dhunti dhe Talente është krijuar para më shumë se 40 viteve.
Kjo është arritja e tretë e ATOMI-t në nivel ndërkombëtar, meqë para 6 viteve ATOMI ishte certifikuar nga Këshilli Evropian për Aftësi të Lartë (European Council for High Ability – ECHA) si Pikë Evropiane për Talentet (European Talent Point – ETP) në Kosovë, ndërsa në 2014-tën edhe MENSA, organizata më e madhe ndërkombëtare që merret me personat me inteligjencë të jashtëzakonshme në botë, e cila ka shtrirje në më shumëse 100 vende të botës, kishte konfirmuar se i njeh dhe i certifikon praktikat, instrumentet dhe rezultatet e ATOMI-t.