Në varrimin e 35 vjeçares marrin pjesë edhe një numër i madh i qytetarëve
I është dhënë lamtumira e fundit Hamide Magashit, e cila u vra të mërkurën para Gjinekologjisë në Prishtinë, një ditë para se ta sillte në jetë foshnjën e saj.
Në varrimin e 35 vjeçares përveç familjarëve po marrin pjesë edhe një numër i madh i qytetarëve. Pjesëmarrëse në varrim është ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti.
Ish-bashkëshorti i saj, i dyshuari për vrasjen makabër, Sokol Halili, është ende në arrati. E ndjera Magashi kishte raportuar se kishte pasur në vazhdimësi dhunë nga i dyshuari Sokol Halili.
Ajo kishte deklaruar se në çdo vizitë të cilën e kishte bërë te familja e saj kishte qenë nën përcjelljen e vjehrrës dhe vëzhgimin nga afër të bashkëshortit.
Përpos dhunës Magashi kishte deklaruar edhe se çdo pagë të cilën e realizonte nga puna në Komunën e Ferizajt ia dorëzonte bashkëshortit duke ia paguar kështu edhe gjobat në trafik.
Ministrja Haxhiu po merr pjesë në varrimin e shtatzënës së vrarë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkë me anëtarë tjerë të kabinetit të saj po marrin pjesë në varrimin e shtatzënës së vrarë, dy ditë më parë.
Në varrimin e 35-vjeçares po merr pjesë edhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti.
Ndryshe, mbrëmjen e së mërkurës një burrë (Sokol Halili) ka vrarë ish-bashkëshorten e tij shtatzënë në oborrin e objektit të Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë. Gruaja shtatzënë, siç është raportuar, ka qenë duke pritur për të lindur. Gjykata Themelore e Ferizajt, ka njoftuar se ka pasur urdhër-mbrojtje ndaj 35-vjeçares, e cila është vrarë në oborrin e QKUK-së.
Prokuroria Themelore e Ferizajt, lidhur me rastin ka potencuar se kompetente për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë policia.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët për ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin e personit të dyshuar për vrasjen e bashkëshortes shtatzënë në QKUK, e i cili ende ndodhet në arrati.
I jepet lamtumira e fundit shtatzënës që u vra në oborrin e QKUK-së
Ka arritur në shtëpinë e familjes së saj në fshatin Llugaxhi arkivoli i Hamide Magashit, e cila u vra para dy ditësh nga bashkëshorti i saj.
Familjarët e së ndjerës mes lotësh janë përshëndetur me të për herë të fundit.
Lot e dhimbje, trupi i pajetë i Hamide Magashit i dorëzohet familjes
Në oborrin e shtëpisë, është sjellur trupi i Hamide Magashit, tashmë të ndjerë.
Motrat e 35 vjeçares e shumë familjarë mes lotëve po i u’ a japin lamtumirën e fundit dhe po luten për gruan, e cila u vra dy ditë më parë në oborrin e Gjinekologjisë.
Ajo do të varroset në orën 13:00, në varrezat e vjetra në Lugagji të Lipjanit.
Ndërkaq, i dyshuari për vrasje, ish-burri i saj, Sokol Halili gjendet akoma në arrati.
Motrat e viktimës kanë thënë se ai e kishte keqtrajtuar përgjatë tre muajve martesë, e më pas e ka kërcënuar vazhdimisht.
Ndaj tij ishte caktuar masë urdhër-mbrojtje dhe i dyshuari e kishte të ndaluar t’i afrohej viktimës, me vendim të gjykatës.