I dyshuari për vrasjen e 35 vjeçares shtatzënë ka vrarë veten.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se Sokol Halili është lokalizuar sot nga Policia, dhe i njëjti ka bërë vetëvrasje, para se të dorëzohej tek autoritetet.
Në media u publikuan pamjet nga momenti kur Policia e Kosovës i bënte thirrje për dorëzim të dyshuarit, i cili po fshihej në shtëpinë e prindërve të tij në Shtime.
Policia ishin duke negociuar dorëzimin e tij, por Halili ka vrarë veten duke refuzuar të dorëzohet.
Detaje të tjera nuk janë bërë të ditura ende.
Sokol Halili ishte në kërkim të Policisë qe gati dy ditë, si i dyshuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij.
Shtatzëna 35-vjeçare u vra në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku kishte shkuar për të kryer lindjen e fëmijës së saj të parë.
Sipas familjarëve, viktima dhe i dyshuari për vrasje kanë qenë në prag të divorcit, si pasojë e dhunës së vazhdueshme fizike e psikike që viktima kishte pasur në vazhdimësi nga ish bashkëshorti i saj.
Ai është lokalizuar nga Policia dhe më pas ia ka marrë jetën vetes, ndërkohë që në anën tjetër viktima H.M u përcoll për në banesën e fundit.