“Jam në zyrë, oj çikë. I kam edhe 500 raste tjera”, kështu ka thënë Prokurori i rastit të vrasjes së gruas në QKUK, Ilaz Beqiri, kur është pyetur për vetvrasjen e Sokol Halilit, të cilën minuta më parë e konfirmoi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Kjo lë të kuptohet se Beqiri ska asnjë informacion për rastin e Sokol Halilit.
“S’e di valla. Pse a kanë dalë me ndonjë komunikatë a? O jo s’e di, s’e di jo, nuk e kam këtë informatë. A tash po më tregon mue a pe di a s’pe di.” – tha Beqiri i nervozuar pas pyetjes së gazetares se pse ai nuk ka informacione për këtë çështje.
“Po unë jam prokuror i rastit, por jam në zyrë, oj ti çikë, veç sa dola prej gjykimit, unë s’e kam veç këtë rast, kam edhe 500 raste të tjera.” – tha ai.
Ministri Sveçla ka thënë se përkundër tentativës së zyrtarëve policorë që të negociojë me dorasin për dorëzim ai e ka vrarë veten.
“Pas një pune intenzive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten“, ka shkruar ministri në Facebook.
Mbrëmjen e së mërkurës në oborrin e Gjinekologjisë, Sokol Halilit me armë zjarri ia mori jetën bashkëshortes, Hamide Magashit dhe foshnjës që pritej të vinte në jetë.
Sot i është dhënë edhe lamtumira e fundit Hamide Magashit.