Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar për ligjin e pagave, sepse sipas këtij Asociacioni, ligji e barasvlerëson një kryetar të komunës me një zëvendës ministër.
“Përjashtim Kryetarin e Kryeqytetit, paga e Kryetarëve të Komunave të Kosovës është nënçmuese edhe për mënyrën e zgjedhjes edhe për përgjegjësitë që ka Kryetari i Komunës”, thuhet ndër të tjera.
Sipas AKK-së, në asnjë mënyrë nuk vlen postulati i reklamuar nga Qeveria që për punë të njëjtë të jetë paga e njëjtë.
“Po ashtu, me këtë projekt-ligj shihe qartë që emërimi politik i një Zëvendësministri bëhet më i rëndësishëm dhe më i çmuar se një Kryetar Komune i zgjedhur me zgjedhje të drejtpërdrejta nga qytetarët.
Pra, si të tilla, këto përgjegjësi nuk reflektojnë nivelin e pozicionimit të një Kryetari Komune në Draft-ligjin e pagave.
AKK-ja do të angazhohet më gjithë kapacitetin e vet që këto ndryshime të reflektohen në projekt ligjin për paga në sektorin publik në takimet me komisionet parlamentare”, thuhet ndër të tjera në reagimin e AKK-së.