Nga tetori i vitit të ardhshëm do të fillojë ulja e çmimeve të roaming-ut ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), sipas deklaratës së nënshkruar të martën më 6 dhjetor në Tiran.
Përfaqësues të operatorëve të telekomit nga vendet anëtare të BE-së dhe Vendet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan deklaratën në Tiranë, në prag të samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Sipas deklaratës së nënshkruar, pas fillimit të uljes së çmimeve të roaming në tetor 2023, synohet që në një moment t’i jepet fund roamingut ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Për momentin nuk dihen detaje të tjera. Lajmin për marrëveshjen e nënshkruar e ka bërë të ditur në Twitter edhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), organi operativ i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
Që nga 1 korriku 2021, rajoni i Ballkanit Perëndimor është një zonë pa roaming. Qytetarët paguajnë për thirrjet, mesazhet SMS dhe trafikun e internetit me çmimin e operatorëve të tyre vendas, nëse ndodhen në territorin e Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut apo Serbisë.
Marrëveshja për roaming të vendeve të Ballkanit Perëndimor u nënshkrua në prill 2019, pas së cilës çmimet e thirrjeve telefonike u ulën me rreth 27 për qind nga korriku i atij viti, si dhe parashikonte heqjen e plotë të roaming nga korriku 2021.