Drejtuesit e Bashkimit Evropian, liderët e 27 vendeve anëtare si edhe pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, u njoftuan sot zyrtarisht nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për një plan të Prishtinës zyrtare.
Në samitin BE-BP në Tiranë, ajo deklaroi se para përfundimit të këtij viti, Kosova do të dorëzojë aplikimin për antarësim në Bashkimin Evropian.
Se një lajm të tillë tashmë e kanë kuptuar, e konfirmoi Charles Michel, president i Këshillit Evropian, i cili në konferencën për media, pas samitit, së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se për një veprim të tillë, janë njoftuar sot.
“Ky informacion u tha sot nga presidentja e Kosovës”, tha Michel, pasi në lidhje me këtë temë, ai u pyet nga një gazetar i gazetës franceze, ‘Le Monde”.
Ai pyeti se si do të trajtohet një aplikim i tillë, kur pesë vende të Bashkimit Evropian, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“I takon Këshillit Evropian ta shikojë se çfarë rruge do t’i jepet kësaj iniciative”, tha shkurt Michel.
Përndryshe, ka përfunduar Samiti mes BE-së, liderëve të 27 vendeve të BE-së dhe atyre të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Tiranë.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, deklaroi se duhet të merren vendime shtesë dhe natyrisht të bëhet progres i mëtejshëm.
E kryeministri Edi Rama deklaroi se Michel dhe Urusla von der Leyen, janë luftëtarë të mëdhenj për rajonin e Ballkanit.