Vdekja në rrethana të pasqaruara e shqiptarit nga Peja me nënshtetësi norvegjeze në Burgun e “Sremska Mitrovicës” në Serbi ka ngjallur reagime të shumta.
I ndjeri Artan Zymberi ishte i dënuar me 3 vite burg në mbajtje të dënimit mbi 1 vit, ndërsa në fillim të vitit të ardhshëm do të transferohej në një institucion korrektues në Norvegji, ku do të mbante dënimin e mbetur.
Lidhur me këtë rast, ka reaguar avokati Arianit Koci, i cili ka thënë se sipas dyshimeve të familjes, Artani është vrarë në burg.
Ai është shprehur i habitur me faktin që nuk ka reaguar askush nga zyrtarët shtetëror të Kosovës për këtë rast.
“Shumë më rahat kishim qenë, po ta kuptonim që shteti i Kosovës po interesohet për fatin e qytetarit të vet - kushdoqoftë ai!”, ka shkruar Koci.
Postimi i plotë:
Familja Zymberi, pohon se djali i tyre Artan Zymberi, kosovari me shtetësi norvegjeze, ka vdekur në burgun e Serbisë, saktësisht në Mitrovicë të Sremit.
Sipas dyshimeve të kësaj familjeje, Artani është vrarë në burg.
Deri tani, nuk e dëgjova asnjë prononcim zyrtar për këtë çështje.
Rendi ka qenë që së paku zyra jonë ndërlidhëse në Beograd, apo Ministria e Punëve të Jashtme të na jep ndonjë informatë: A është e vërtetë kjo? Cilat janë informatat zyrtare preliminare?
Shumë më rahat kishim qenë, po ta kuptonim që shteti i Kosovës po interesohet për fatin e qytetarit të vet - kushdoqoftë ai!
Në fund të fundit, shteti ka obligim të kujdesët për çdo qytetar të tij.
Çështje të tilla, nuk mund të jenë veç barrë e familjes.