Kurti priti Imzot Vincenzo Paglia-n, diskutuan për liritë fetare e trashëgiminë kulturore

Aktuale

Kurti priti Imzot Vincenzo Paglia-n, diskutuan për liritë fetare e trashëgiminë kulturore

Më: 7 dhjetor 2022 Në ora: 11:35
Pamje nga takimi

Kryeministri Albin Kurti, sot priti në takim Imzot Vincenzo Paglia, Kryetar i Akademisë Papnore për Jetën dhe Kancelar i Institutit “Gjon Pali II”, së bashku me Mario Giro, ish-zëvendësministër i Jashtëm i Italisë.

Në takim, siç informoi Qeveria, u diskutua për fushat potenciale të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës me Selinë e Shenjtë në Vatikan, në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

“U bisedua për të drejtat dhe liritë e qytetarëve, në veçanti liritë fetare dhe trashëgiminë kulturore. U theksua se mbrojtja e tyre sigurohet përmes Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve të veçanta.U theksua se Kosova është vend demokratik, i ndërtuar mbi bazën e sigurimit të respektimit të drejtave dhe lirive të barabarta për të gjithë qytetarët e saj. Po ashtu, se mbrojtja e trashëgimisë kulturore paraqet një prej prioriteteve programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës.”, u bë e ditur në komunikatë.

Në këtë takim, siç u shtua, u vlerësua pasuria kulturore e Kosovës, si vlerë universale dhe çelës për krijim të ndërveprimit shoqëror dhe tejkalim të dallimeve ndërmjet komuniteteve të ndryshme, që jetojnë në shtetin tonë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat