Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka këmbëngulur se kanë kapacitetet e duhura për të ofruar siguri për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, të cilat janë planifikuar më 18 dhjetor.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri janë shpallur pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës. Gjatë ditës së djeshme pati shpërthime të njëpasnjëshme nëpër komisionet komunale zgjedhore në veri.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një reagimi gjatë ditës së sotme, theksoi se nuk ka kushte të duhura për t’u mbajtur zgjedhjet.
Por Sveçla ka thënë se e respekton qëndrimin e Hovenierit, megjithatë për mbajtjen e zgjedhje, sipas tij, vendosin institucionet e Kosovës.
"Situata është e qetë. Kam ardhur për t’i koordinuar punët. E respektojmë qëndrimin e ambasadorit amerikan, por janë institucionet ato që vlerësojnë aspektin e mbajtjes së zgjedhjeve”, ka thënë Sveçla, duke paralajmëruar se do të mbajë konferencë për media të mërkurën pasdite.