Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë certifikimin e listës përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri për kryetarë komunash.
Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka konfirmuar se kjo listë përmban rreth 45 mijë votues, të shpërndarë në 44 qendra të ndryshme të votimit.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për certifikimin e listës përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, të cilat do të mbahen më 18 dhjetor 2022. Kjo listë votuese përmban 44 mijë e 939 emra të votuesve apo 1,189 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet Lokale 2021. Votuesit janë të shpërndarë në 44 qendra të votimit megjithsej 74 vendvotime”, tha Elezi.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave veriore janë paraparë që të mbahen më 18 dhjetor.
