Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka folur rreth shtimit të pranisë së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës.
Ai në RTK1 ka thënë se situata është e qetë dhe se qytetarët duhet të ruajnë qetësinë.
Sipas tij, shtimi i pranisë në disa lokacione në veri të Mitrovicës vijnë pas incidenteve të kaluara, dhe si të tilla kanë për qëllim kthimin e rendit dhe ligjit për shkak të gjendjes së sigurisë.
Ai ka folur edhe rreth zhvillimeve të fundit në veri, duke thënë se Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale janë duke vazhduar hetimet për sulmet ndaj zyrtarëve policorë dhe banorëve lokalë.
“Unë jam optimist se shumë shpejt ata do të dalin me rezultate dhe do të propozojnë masa të duhura në drejtim të përndjekjes dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre sikurse ishte rasti sulmin në zyrën e komisionit komunal zgjedhor”, ka thënë Sveçla.
Rreth shtyrjes së mundshme të zgjedhjeve 18 dhjetorit në katër komunat në veri të vendit, ministri Sveçla ka thënë se vendimin do të merr presidentja e Kosovës në bazë të vlerësimeve të organeve të sigurisë.