Bikliqi thotë se nuk mund të ketë eskalime të mëdha në veri përderisa atje është KFOR-i

Aktuale

Bikliqi thotë se nuk mund të ketë eskalime të mëdha në veri përderisa atje është KFOR-i

Më: 9 dhjetor 2022 Në ora: 18:56
KFOR

Policia e Kosovës ka rritur prezencën policore në veri të vendit për shkak të incidenteve të ditëve të fundit atje. E për këtë eksperti i sigurisë, Suad Bikliqi, vlerësoi se policët e Kosovës janë të mbështetur edhe nga organet tjera të sigurisë.

Sipas tij, me prezencën e KFOR-it dhe EULEX-it atje, mundësitë janë të pakta për eskalime të situatës.

“Në rrethana të tilla, siguria e parasheh që do të ketë ndonjë sulm eventual. Por, jo në përmasa të mëdha. Policia absolutisht që fizikisht si uniformë janë një pjesë aty, por ka edhe organe të tjera që e mbështesin prezencën e sigurisë. Përsëri nuk mendoj që mund të ketë eskalime të mëdha përderisa atje është prezenca e KFOR-it, EULEX-it si dhe prezenca e NATO-s në Kosovë”, deklaroi Bikliqi.

Më tej, Bikliqi konsideron se më i rëndësishëm duhet të jetë fakti nëse organet e rendit janë në dijeni se kush janë ata persona pas ndodhive të fundit në veri.

Ndërkaq, ai foli edhe për incidentet e fundit në veri.

“Unë mendoj që jemi në një fazë të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, prandaj padyshim Serbia është duke përdorur metodologji populiste, sepse nuk mund ta ushtrojë sovranitetin e saj në veri të vendit, pasi ajo pjesë është e Kosovës. Në të kundërtën, këto pasoja janë për shkak të marrëveshjes finale me Serbinë”, tha ai tutje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat