Që nga 6 dhjetori situata në veri të vendit është e tensionuar.
Pikërisht me këtë datë janë sulmuar edhe zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ), çka u pamundësoi zyrtarëve të KQZ-së të kryejnë punën e tyre.
Nga institucionet e Kosovën po thonë se këto janë sulme të orkestruara nga bandat kriminale të Vuçiqit, deri sa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deklaroi se në shpërthimet që kanë ndodhur në veri nuk përjashtohet që pjesëmarrës kanë qenë edhe ish-policët serbë.
Lidhur me situatën në veri ka folur ish-komandanti i Zonës së Llapit, Latif Gashi.
Veprimet e Qeverisë sa i përket zgjedhjeve e edhe veprimet e tjera para këtyre, Gashi po thotë se kanë qenë të ngutshme.
Ai po kërkon që vendimet të merren në koordinim me partnerët ndërkombëtar.
“Sa i përket çështjes së veriut Qeveria Kurti është duke marrë hapa të ngutshëm. Deri tani gjithçka është bërë në koordinim me ndërkombëtarët, me aleatët tonë. Këto çka është duke i bërë Qeveria janë lojëra të fëmijëve se nuk është dashtë me e sjellë punën që me bë zgjedhje, por është dashtë me u koordinua me faktorin ndërkombëtar edhe me shkua me rregullua problemin njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, hapat e ndërmarrë pa koordinim me faktorin ndërkombëtar janë të pafavorshëm për vendin.
“Këto hapa të ngutshëm, hapa të pakoordinum me faktorin ndërkombëtar konsideroj se janë të pafavorshëm për Kosovën dhe Kosovën e vendosin në një situatë ku për herë të parë pas 23 vitesh Kosova fajësohet që nuk është konstruktive e jo Serbia”, ka shtuar më tutje ai.
Mbrëmë në pjesën veriore të vendit, është plagosur edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës, ndërsa janë sulmuar edhe disa gazetarë.
Kurse, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka filluar shtimin e prezencës në atë pjesë.