Tensionet e fundit në veriun e vendit e kanë aktivizuar edhe Beogradin zyrtar, me diskursin tashmë të njohur.
Fillimisht drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petkoviq e më pas edhe kryeministrja Brnabiq, kërcënuan me dërgim të forcave serbe të sigurisë në Kosovë.
Këtë veprim ata po e justifikojnë me përmbajtjen e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Megjithatë sipas Enver Dugollit, anëtar në Komisionin për Siguri dhe Mbrojtje, këto deklarata janë për konsum të brendshëm dhe në kundërshtim me marrëveshjet e arritura mes të dyja vendeve.
“Përveçse deklaratat e tilla nxisin tensione të reja, janë në kundërshtim edhe me Marrëveshjen e Kumanovës, të cilën është nënshkru në njëfarë forme kapitullimi i Serbisë”, tha ai.
Teksa anëtari tjetër i këtij komisioni, Rashit Qalaj ndonëse kërkon që të ketë koshiencë, thotë se nuk ka ndonjë mundësi që forcat serbe të mund të ndërhyjnë në Kosovë.
“Tash jemi në vitin 2022 gati 2023 dhe janë diku 23 vite larg periudhës kohore kur në Kombet e Bashkuara është votuar rezoluta 1244. E di që këta i referohen Marrëveshjes së Kumanovës, atje njëfarë paragrafi që thotë se forcat serbe do të jenë prezente me 1000-2000 persona, por kjo nuk ka gjasa të ndodhë. Nuk ka teori që ndonjë forcë e uniformuar e ndonjë polici apo ushtari serb të depërtojë në Kosovë”, tha Qalaj.
E për ekspertin e sigurisë, Sheqir Kutllovci, Kosova nuk ka arsye të shqetësohet për cenimin e sovranitetit të saj.
“Sa i përket sigurisë së jashtme ne nuk mund të ndihemi të kërcënuar asnjëherë sepse shteti i Kosovës kurrë nuk do të jetë më i sigurtë sesa tani kur është i siguruar nga KFOR-i dhe vetëm kur jemi në NATO do të jemi të siguruar si tash”, deklaroi Kutllovci.
Ndaj deklaratave të liderëve serb të premten reagoi edhe presidentja Osmani. Sipas saj kjo tregon për mendësinë hegjemoniste që dominon në Serbi ndërsa kërkoi edhe reagimin e botës demokratike.
“Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë! Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të jetësohet kurrë”, ka thënë ajo.
Deklaratat e liderëve serbë vijnë pas tensioneve në veri të vendit, në përgjigje të së cilave autoritetet kosovare dërguan njësi shtesë policore.