Shkëlzen Gashi publikon pamjet e rënda të Gazmendit të vrarë dhe ka disa fjalë për viktimat e luftës

Aktuale

Shkëlzen Gashi publikon pamjet e rënda të Gazmendit të vrarë dhe ka disa fjalë për viktimat e luftës

Nga: A.ZH Më: 10 dhjetor 2022 Në ora: 12:03
Gazmend Gashi

Analisti politik Shkëlzen Gashi, ka publikuar një fotografi të Gazmend Gashit, të cilin e kishin vrarë më Njësia për Operacione Speciale, Njësia Speciale Antiterroriste dhe Njësia Speciale Policore e Serbisë, më 5 mars 1998.

Gashi ka thënë se ai ishte vrarë në ofensivën që kishte për shënjestër fshatin Prekaz, saktësisht familjen e Shaban Jasharit, përcjell Bota sot.

Ai ka treguar se Gazmendi ishte vrarë bashkë me nënën dhe motrën e tij, në ditën kur u shënuan edhe 65 viktima të tjera në Drenicë.

Gashi ka shprehur respektin e tij për të gjitha viktimat e luftës 1998-1999, duke veçuar Gazmendin, Makfireten dhe Fatimen, të cilët sipas tij, nuk po përkujtohen kurrë.

Reagimi i Gashit në Facebook:

Në kujtim të Fatimes, Gazmendit dhe Makfiretes!

Më 5 mars 1998, Njësia për Operacione Speciale, Njësia Speciale Antiterroriste dhe Njësia Speciale Policore, të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, rrethuan fshatrat përreth Prekazit të Skënderajt. Në shënjestër të ofensivës së tyre ishte fshati Prekaz, saktësisht familja e Shaban Jasharit, për shkak se djemtë e tij, Hamza dhe Ademi, kishin themeluar dhe i udhëhiqnin celulat e para të UÇK-së në këtë zonë.

Në këtë ofensivë forcat serbe vranë 59 veta në Prekaz, tre në Polac, dy në Llaushë, dy në Turiqec, një në Burojë dhe një në Tushilë, pra gjithsej 68 veta, prej të cilëve 40 ishin civilë të paarmatosur. Ndër civilët, 26 ishin femra e 14 meshkuj; 18 ishin të mitur, kurse pesë mbi 65-vjeçarë; 37 ishin shqiptarë, e tre romë.

Të parët që u vranë në këtë ofensivë më 5 mars 1998 ishin Fatime Gashi, 50 vjeçare e komunitetit rom, me fëmijët Gazmendin 16 vjeç dhe Makfireten 13 vjeçe. Po bëhet gati çerek shekulli nga vrasja e tyre dhe, fatkeqësisht, Fatimen, Gazmendin dhe Makfireten nuk po i përkujtojmë kurrë.

Sot është dita ndërkombëtare e të drejtave të njeriut.

Respekt për të gjitha viktimat e luftës 1998-1999, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, fetare, gjinore, racore, krahinore, politike, e me radhë.

P.S.

Fotografinë e Gazmendit të vrarë e kam gjet në arkivën e fotografit Ilaz Bylykbashi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat