Presidentja Osmani deklarohet: Zgjedhjet në veri shtyhen për muajin prill të vitit tjetër

Aktuale

Presidentja Osmani deklarohet: Zgjedhjet në veri shtyhen për muajin prill të vitit tjetër

Më: 10 dhjetor 2022 Në ora: 14:55 Përditësuar në ora: 17:29 më 10.12.2022
Vjosa Osmani

Osmani pas takimit me partitë: Kam caktuar 23 prillin 2023, datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri

Presidentja Vjosa Osmani, pas përfundimit të konsultimeve me partitë politike dhe konsensusit të plotë të dalë nga ky takim, ka caktuar 23 prillin e vitit 2023, datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.

Presidentja Osmani ka bërë të ditur se ka pasur konsensus të plotë mes partive politike për shtyrjen e zgjedhjeve në veri të vendit dhe se është marrë parasysh edhe vlerësimi i institucioneve kompetente rreth situatës së sigurisë në veri të vendit.

Vendimi i Presidentes udhëzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve në datën e re.

Elezi: KQZ po pret vendimin e presidentes që t`i pezullojë aktivitetet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do të presë zyrtarisht vendimin e Presidentes së Republikës së Kosovës për të ndërmarrë hapat e nevojshëm në këto rrethana që ndërlidhen me ndërprerjen apo pezullimin e aktiviteteve përgatitore.

Këtë e ka konfirmuar për RTK, Valmir Elezi zëdhënës i KQZ-së.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë zyrtarisht vendimin e Presidentes së Republikës së Kosovës për të ndërmarrë hapat e nevojshëm në këto rrethana që ndërlidhen me ndërprerjen apo pezullimin e aktiviteteve përgatitore. Për mbledhjen e radhës do t’iu njoftojmë me kohë”, tha ai.

Ndryshe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka njoftuar se është marrë vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve në veri. Ato do të mbahen në prill të vitit të ardhshëm, derisa caktimi i datës së saktë do të bëhet në konsultim me institucionet e sigurisë.

Zgjedhjet në veri shtyhen për muajin prill të vitit tjetër

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka treguar se është marrë vendim për shtyrje të zgjedhjeve. Ajo ka thënë se zgjedhjet do të mbahen në muajin prill, derisa data e saktë do të bëhet publike nesër.

 “Diskutuam rreth datës më të përshtatshme dhe kohës së përshtatshme dhe në fund me konsensus të plotë, pas propozimit tim erdhëm në konkluzion që të shtyhen për muajin prill të vitit 2023, kurse data e saktë e muajit prill, sonte ose më largu nesër në mëngjes do t’i tregohet publikut”, ka deklaruar presidentja e Kosovës.

E para e shtetit ka treguar se vendimi për shtyrje ka ardhru edhe pas bisedave që ka pasur me zyrtarë të BE-së.

Duke u bazuar në zhvillimet dua të ju njoftoj qe kam pasur kontakte edhe me institucione të BE-së dhe më kanë thënë që nuk do të marrin pjesë për vëzhgim për shkak të kohës së shkurtër. Bazuar në këto vlerësime propozimi ishte që të shtyhen zgjedhjet për kryetarë komunash. Erdhëm në përfundim të shtyhet për në prill”, ka thënë ajo para gazetarëve.

Shtyrja e zgjedhjeve vjen pas situatës së tensionuar në veri të Republikës së Kosovës.

Nis takimi i Osmanit me partitë politike, merr pjesë edhe Kurti

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka nisur takimin konsultativ me partitë politike lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore.

Në këtë takim po merr pjesë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Pjesë e këtij takimi do të jenë Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat